Në Shtetet e Bashkuara është rikthyer momenti i lavdisë për njeriun-majmun legjendar, i cili prej vitesh ka ngjallur kureshtjen dhe pasionin e amerikanëve. Agjencia e Shërbimit Pyjor ka bërë publike dokumentet që lidhen me praninë e krijesës mitologjike, ekzistenca e së cilës nuk është provuar kurrë. Tri dosjet, pjesë e arkivit “Këmbëmadhi/Sasquatch Records” të Shërbimit Pyjor të Shteteve të Bashkuara, Sasquatch është një tjetër emër për Këmbëmadhin, janë publikuar në internet, duke rikthyer në vëmendje historinë e asaj që konsiderohet versioni amerikan i Jeti-t të Himalajeve ose i përbindëshit të Liqenit të Loch Ness-it. Mes dokumenteve të ruajtura për dekada ndodhet edhe raporti i një ekspedite të organizuar nga qeveria në vitin 1982, me qëllim shqyrtimin e dhjetëra gjurmëve të gjetura në pyjet e Uashingtonit dhe në Oregon, në veriperëndim të Shteteve të Bashkuara. Departamenti i Bujqësisë kishte ngarkuar një biolog të specializuar në faunën e egër që të “hetonte raportimin për zbulimin e gjurmëve të Këmbëmadhit” në pellgun ujëmbledhës të Mill Creek, brenda pyllit kombëtar të Umatilla-s. LEXO edhe...Negociatat me Iranin, Rubio takohet sot në Uashington me kryeministrin e Katarit! Ministri Gideon Sa'ar dënon sulmet e kolonëve izraelitë në Bregun Perëndimor Biologu, Rodney L. Johnson, përmblodhi përfundimet e kërkimit në një memorandum prej gjashtë faqesh. Çfarë kishte zbuluar? Gjurmët, të gjetura në tri zona me baltë të pellgut ujëmbledhës, ishin 38 centimetra të gjata dhe 18 centimetra të gjera. Ato shtriheshin përgjatë një distance prej 7 deri në 12 metrash, duke u ngjitur e zbritur nëpër shpate dhe duke u futur në bimësinë e dendur. Në këtë zonë ishin vënë re shenja dëmtimi të bimësisë në një gjatësi prej rreth dhjetë metrash, që tregonin kalimin e “diçkaje”. Por çfarë? Legjenda flet për një krijesë të gjatë nga dy deri në tre metra, me trup të mbuluar me qime, që mund të ecë drejt, me krahë të gjatë, shpatulla të gjera dhe fytyrë të ngjashme me atë të një majmuni të madh. Emri Këmbëmadhi vjen nga gjurmët e mëdha që i atribuohen kësaj krijese. Gjurmët e para u gjetën në Kaliforni në vitin 1958, vit që konsiderohet edhe si fillimi i legjendës. Ndërsa emri Sasquatch rrjedh nga një fjalë indigjene e popullit Salish të British Columbia, e përkthyer si “njeri i egër” ose “njeri leshtor”. Sipas biologut, nëse gjurmët do të ishin falsifikuar, “dikush do të duhej të kishte kushtuar jashtëzakonisht shumë kohë dhe vëmendje ndaj detajeve”. Megjithatë, Johnson nuk mendonte se kishte gjetur prova që Bigfoot-i kishte kaluar vërtet nëpër atë pyll. “Gjurmët e vëzhguara nuk janë lënë nga një krijesë dykëmbëshe që peshon më shumë se 136 kilogramë”, kishte përfunduar ai. Biologu dyshonte se gjithçka ishte një mashtrim i sofistikuar. Një detaj i kishte tërhequr veçanërisht vëmendjen: gjatësia e hapit nuk ndryshonte gjatë ecjes nëpër shpate, ndonëse kjo duhej të ndodhte. Për më tepër, çizmet e tij ishin fsur në baltë shumë më tepër sesa gjurmët që supozohej se kishte lënë Këmbëmadhi. Dhe duke qenë se, teorikisht, kjo krijesë ishte shumë më e rëndë se biologu, duhej të kishte ndodhur e kundërta. Hipoteza e mashtrimit ishte përforcuar më vonë edhe nga një zyrtar i policisë kufitare, i cili kishte paralajmëruar Shërbimin Pyjor. Sipas tij, dikush kishte përdorur një kallëp në formë këmbe, të bërë prej allçie ose gome, për të lënë gjurmët. Në dokumente shfaqen gjithashtu artikuj të vjetër gazetash dhe dëshmi të ndryshme, si ajo e një burri të quajtur Leo Kinney, i cili në një letër kishte treguar se gjatë një ekspedite gjuetie në Montana ishte ndeshur me “gjurmë të çuditshme” dhe kishte ndier një erë shumë të fortë, si dhe kishte dëgjuar një zhurmë të ngjashme me një gërhimë kafshe. Ishin vitet 1940. Legjenda e Këmbëmadhit ende nuk kishte lindur./La Repubblica P.J/ReportTv.al SHBA kembemadhi Rodney L. Johnson Komento Komente Sondazhi i ditës: Cila mendoni se është rruga për zgjidhjen e kërkesave të studentëve? Dialogu 71% Protesta 23.1% Asnjëra 5.9% Vota total: 1871 Sondazhi i ditës: Cila mendoni se është rruga për zgjidhjen e kërkesave të studentëve?

