Protesta, e cila filloi për të mbrojtur lagunën e Nartës nga një kompleks turistik i lidhur me Jared Kushner, është shndërruar në një revoltë kundër sistemit oligarkik shqiptar, duke vënë në pikëpyetje modelin e zhvillimit të Edi Ramës dhe të gjithë tranzicionin post-socialist... I ashtuquajturi “revolucion i flamingove”, i ngjizur nga mobilizimi kundër një projekti gjigant turistik përgjatë bregdetit adriatik shqiptar, brenda pak javësh është shndërruar në diçka shumë më të madhe sesa një thjesht protestë ambientaliste.
Mbrojtja e lagunës së Nartës, e gadishullit të Zvërnecit dhe e ishullit të Sazanit ka nxjerrë në sipërfaqe një kundërshtim më të thellë ndaj sistemit politik dhe ekonomik të ndërtuar në Shqipëri pas vitit 1991.
Pas sloganeve kundër qeverisë së Edi Ramës dhe kundër projektit të lidhur me Jared Kushner-in, fshihet në fakt një gjykim gjithnjë e më i prerë mbi mbarë tranzicionin post-socialist: premtimet për liri, mirëqenie, demokraci dhe modernizim nuk u mbajtën.
Në vend të tyre u ngrit një kapitalizëm periferik, i bazuar mbi privatizimin e pasurisë publike, emigrimin masiv dhe formimin e një oligarkie të aftë për të përdorur shtetin me qëllim shndërrimin e tokave, bregdetit dhe burimeve natyrore në mundësi të akumulimit privat të kapitalit.
Kësisoj, Revolucioni i Flamingove e vë në dyshim idenë e imponuar për më shumë se tri dekada, sipas së cilës çdo investim i huaj përfaqëson automatikisht progres dhe çdo privatizim përbën një çlirim nga paaftësitë e së shkuarës.
Projekti i Zvërnecit dhe Sazanit, tregon rezultatin konkret të këtij konceptimi: territori kombëtar i reduktuar në një mall dosido, popullsia vendase e përjashtuar nga vendimmarrja dhe qeveria e shndërruar në një ndërmjetës politik mes kapitaleve të mëdha ndërkombëtare dhe burimeve të vendit.
Kompanitë e përfshira janë të lidhura me Jared Kushner-in, dhëndrin e ish-presidentit amerikan Donald Trump, dhe parashikojnë ndërtimin e infrastrukturave të destinuara kryesisht për një klientelë ndërkombëtare me të ardhura të larta, me një investim që kap vlerën e disa miliardë eurove.
Qeveria Rama e prezanton këtë ndërhyrje si një kthesë historike, duke argumentuar se Shqipëria duhet të tejkalojë modelin e pushimeve me kosto të ulët dhe të shndërrohet në një destinacion mesdhetar luksi.
Megjithatë, çështja nuk qëndron thjesht te kundërvënia mes zhvillimit dhe konservimit mjedisor. Problemi i vërtetë ka të bëjë me natyrën e zhvillimit të propozuar, përfituesit e tij dhe marrëdhëniet e pronësisë që ai konsolidon.
Një kompleks turistik luksi nuk është një infrastrukturë neutrale. Ai përcakton se kush mund të ketë qasje në bregdet, kush e kontrollon territorin dhe kush i vjel fitimet. Në modelin e promovuar nga qeveria, Shqipëria nuk zhvillon një kapacitet prodhues të vetin dhe autonom, por u ofron bregdetin, lehtësitë ligjore dhe krahun e lirë të punës investitorëve të huaj, të cilët mbajnë kontrollin e aktiviteteve më fitimprurëse.
Kështu, rritja e Produktit të Brendshëm Bruto shoqërohet me përqendrimin e pronës, prekarizimin e punës dhe humbjen e qasjes kolektive ndaj burimeve natyrore. Ky konflikt nuk mund të ndahet nga historia e akumulimit kapitalist shqiptar, i cili lindi në kushte të shënjuara nga përvetësimi i ish-pasurive publike dhe paqartësia e titujve të pronësisë.
Disa banorë pohojnë se tokat e destinuara për projektin janë tjetërsuar pa respektuar të drejtat e tyre, ndërsa Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka hapur një hetim ndaj biznesmenit Artur Shehu për falsifikim dokumentesh dhe pastrim parash nga trafiku i narkotikëve përmes operacioneve imobiliare në këtë zonë.
Kjo ngjarje nxjerr në dritë një problem strukturor: prona mbi tokën e prodhuar nga tranzicioni nuk është thjesht një institut juridik, por rezultat i raporteve të forcës, privatizimeve të diskutueshme dhe lidhjeve politike.
Dështimi i tranzicionit shqiptar, matet mbi të gjitha përmes gjendjes demografike. Që prej vitit 1990, popullsia ka rënë nga rreth 3.2 milionë në rreth 2.4 milionë, kryesisht për shkak të emigrimit. Kur një vend humb popullsinë e tij të re sepse nuk ofron paga dhe perspektiva të përshtatshme, emigrimi kthehet në dëbim ekonomik.
Kapitalizmi shqiptar e ka përdorur këtë valvul shkarkimi për të mbajtur nën kontroll tensionet sociale, duke u varur njëkohësisht nga remitancat, pra dërgesat në para të emigrantëve. Imazhi i të riut shqiptar të detyruar të ikë, ndërkohë që bregdeti shndërrohet në hapësira ekskluzive për miliarderët e huaj, përmbledh në vetvete kontradiktën e tranzicionit në Shqipëri.
Popullsia nuk është pronare e zhvillimit. Ajo thirret për të shërbye si krah pune sezonal. Ambientalistët denoncojnë dëmet e pakthyeshme në zonat ligatinore të Vjosa-Nartës, të cilat u hapën ndaj interesave imobiliare vetëm pas ndryshimit të legjislacionit në vitin 2024.
Përmes këtij modeli, natyra shndërrohet në një kufi të ri të akumulimit. Një bregdet i pa-ndërtuar përshkruhet si një mundësi e humbur dhe një lagunë kthehet në pengesë burokratike.
Sloganet “Shqipëria nuk është në shitje” tregojnë se si mobilizimi e ka kapërcyer çështjen ekologjike, duke u kthyer në revoltë politike. Protesta godet Edi Ramën sepse ai përfaqëson formën më të plotë të kapitalizmit bashkëkohor shqiptar, ku Partia Socialiste kontrollon shtetin por zbaton politika tërësisht neoliberale.
Opozita tradicionale mbetet e kompromentuar nga e kaluara e saj, çka dëshmon se vazhdimësia e vërtetë e tranzicionit qëndron te mungesa e një alternative ndaj modelit ekonomik. Kjo protestë nuk është një “revolucion me ngjyra” i mbështetur nga Perëndimi. Shqipëria mbetet anëtare e NATO-s dhe e rreshtuar fort pas Uashingtonit. Ajo që po ndodh zbulon vetëdijen se rreshtimi gjeopolitik nuk garanton marrëdhënie ekonomike të barabarta.
Sovraniteti riinterpretohet nga qeveria si një liri për t'ia ofruar territorin kapitalit ndërkombëtar, ndërsa revolucioni i flamingove kërkon sovranitetin si të drejtë të popullsisë për të vendosur kolektivisht.
Për t’u shndërruar në një alternativë të vërtetë, mobilizimi duhet të lidhë mbrojtjen e lagunës me kërkesën për planifikim publik, mbrojtjen e pronës kolektive me kontrollindemokratik të investimeve.
Pluralizmi elektoral nuk garanton një demokraci të vërtetë kur vendimet themelore mbi territorin dhe burimet përcaktohen nga fondet ndërkombëtare. Nga laguna e Nartës buron një pyetje që prek mbarë Shqipërinë: pas dekadash në të cilat gjithçka u nxor në treg, çfarë ka mbetur ende në duart e popullit shqiptar?revolucioni i flamingove dështimi i shqipërisë post-socialiste Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Forum Besa nuk jepet me mashtrime; prishni pazarin e 2008-ës, ose mos e përdhosni protestën! 26 Korrik 2026, 15:0015:00Forum Bulevardi i flamingove dhe qeveria e empatisë 26 Korrik 2026, 14:0214:02Forum Sky ECC, sfida e re në gjykata: ‘Beteja’ SPAK-avokatë dhe efekti në dosjen “Aruba” 25 Korrik 2026, 18:4518:45Forum Binjakët e Serbisë 25 Korrik 2026, 17:4817:48Forum Kur qytetarët humbin besimin te vota, demokracia nis të shembet 25 Korrik 2026, 16:4416:44Forum Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut përballë eksperimentit të rrezikshëm të unitarizmit! 25 Korrik 2026, 15:3615:36Forum

