Moti i keq që përfshiu mbrëmjen e së martës zonën e Gjirokastrës ka ndihmuar për shuarjen e disa zjarreve që rrezikonin zonat e banuara. Sipas Shërbimit Zjarrfikës në orën 22:15, nga vëzhguesit e MZSH-së u njoftuan për praninë e tre vatrave zjarri në fshatin Andon Poçi. Menjëherë drejt vendngjarjeve u nisën dy grupe shërbimi me automjete zjarrfikëse. Nga verifikimi në terren u konstatua se një vatër zjarri ndodhej pranë një kabine elektrike, ndërsa dy vatra të tjera ndodheshin në jug të fshatit. Zjarri pranë kabinës elektrike mori përmasa të konsiderueshme, ndërsa ndërhyrja e forcave zjarrfikëse vijoi për izolimin dhe shuarjen e tij. Të ndihmuar edhe nga reshjet e shiut zjarrfikësit bënë të mundur shuarjen e zjarreve. Shkaqet e tre zjarreve në Andon Poçi, dyshohet nga shkarkesa elektrike. Gjithashtu, u raportua për një vatër zjarri në fshatin Hundëkuq. Menjëherë drejt vendngjarjes u nis grupi i shërbimi zjarrfikës, i cili bëri të mundur vënien nën kontroll të situatës. Në fshatin Hundëkuq, zjarri dyshohet se ka ardhur si pasojë e një mase elektrike. Nga të dyja ngjarjet nuk janë raportuar dëme të tjera materiale apo në njerëz.
