Deutsche Welle i ka kushtuar një reportazh të gjatë projekteve në Shqipëri. Në qendër të vëmendjes DW ka vendosur projektet e Jared Kushner në Sazan dhe zonën e Nartës.
Reportazhi ngre dyshime mbi përplasjen mes ambicies për të tërhequr investime të mëdha të huaja dhe nevojës për të mbrojtur ekosistemet e brishta të vendit.
Sipas DW, Shqipëria po përjeton një bum të jashtëzakonshëm turistik, ndërsa qeveria e drejtuar nga Edi Rama po kërkon të tërheqë investime të huaja të nivelit të lartë për të diversifikuar ekonominë. Në këtë kuadër përmenden edhe projektet e kompanisë së Jared Kushner për resorte luksoze në ishullin e Sazanit dhe pranë lagunës së Nartës.
Por zhvillimet kanë nxitur kundërshtime nga ambientalistët, të cilët paralajmërojnë për pasojat që projektet në shkallë të gjerë mund të kenë mbi biodiversitetin.
Në fokus janë veçanërisht habitatet e flamingove në zonën e Vjosë-Nartës, ndërsa shqetësime ngrihen edhe për ndërhyrjet në burimet ujore dhe ndryshimin e peizazhit natyror.
DW thekson gjithashtu se mënyra e miratimit të disa projekteve ka shkaktuar protesta dhe kritika publike, me kundërshtarët që flasin për mungesë transparence, privatizim të tokës publike dhe rrezik për mjedisin.
Reportazhi e lidh këtë debat edhe me procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, duke ngritur pikëpyetje nëse ritmi i zhvillimit dhe ndryshimet në kuadrin mjedisor janë në përputhje me standardet e BE-së për mbrojtjen e natyrës dhe biodiversitetit. Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm

