Është zbardhur plagosja me armë zjarri pranë “Zogut të Zi” në Tiranë, ku mbeti i plagosur në këmbë 33-vjeçari nga Kosova, Gjenk Karabeg, i njohur si këngëtari “Leumasi”. Për ngjarjen u arrestua 20-vjeçari Samuel Tahiraj, ndërsa 54-vjeçari Sajmir Pasmaciu, i dyshuar si personi që qëlloi me armë, është shpallur në kërkim.
Sherri nisi në një lokal në rrugën “Hysni Gërbolli”, ku situata doli jashtë kontrollit dhe Pasmaciu dyshohet se qëlloi Karabegun në këmbë. Në përleshje u përfshi edhe Tahiraj, ndërsa dy persona të tjerë, 49 dhe 18 vjeç, u proceduan në gjendje të lirë. Policia sekuestroi një armë gjahu, thikë dhe municione.
Ndërkohë, në pranga përfi edhe vetë Gjenk Karabegu, pasi rezultoi se ishte në kërkim nga autoritetet e Kosovës. Ai ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Gjakovë me 50 ditë burg për posedim narkotikësh dhe pritet të ekstradohet.
Samuel Tahiraj nuk është emër i panjohur për organet e drejtësisë. Në vitin 2025, ai publikoi një video në TikTok ku shfaqej live duke tymosur me hashash një kotele. Po në gusht të vitit 2025, ai plagosi rëndë një 21-vjeçar, duke i këputur veshin, dhe u la nën masën e arrestit shtëpiak.

