Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, deklaroi se rekomandimet e Këshillit të Evropës po shërbejnë si një nga bazat e punës për rishikimin e Kodit të Procedurës Penale, me fokus kriteret e paraburgimit dhe forcimin e alternativave ndaj arrestit në burg. Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka bërë të ditur se rekomandimet e Këshillit të Evropës për paraburgimin po integrohen në procesin e rishikimit të Kodit të Procedurës Penale. Gogu i bëri komentet gjatë një tryeze të fokusuar te masat e sigurimit, vendimi unifikues i Gjykatës së Lartë dhe jurisprudenca e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Sipas ministrit, bashkëpunimi me Këshillin e Evropës ka kaluar nga faza e rekomandimeve drejt reflektimit të tyre në procesin e reformës ligjore. “Puna jonë me Këshillin e Evropës nuk mbaron me dokumentin që diskutojmë sot. Rekomandimet e tij po ushqejnë drejtpërdrejt punën që kemi nisur për rishikimin e Kodit të Procedurës Penale”, tha Gogu. Në kuadër të këtij procesi, sipas tij, po shqyrtohen kriteret për vendosjen e paraburgimit, arsyetimi i individualizuar i masës së sigurimit, shqyrtimi efektiv i masave më pak kufizuese, aksesi në materialet mbi të cilat mbështetet kërkesa për masën e sigurimit, si dhe forcimi i alternativave ndaj arrestit në burg. Gogu theksoi se reforma duhet të ruajë ekuilibrin mes efektivitetit të drejtësisë penale dhe garantimit të procesit të rregullt ligjor dhe lirisë së individit. “Kapaciteti i shtetit për të hetuar dhe ndjekur penalisht duhet të mbetet i fortë. Por po aq të forta duhet të jenë garancitë e procesit të rregullt dhe mbrojtja e lirisë së personit. Njëra nuk fitohet duke dobësuar tjetrën”, u shpreh ministri. Krahas ndryshimeve në kuadrin ligjor, Ministria e Drejtësisë po punon edhe për rikthimin në funksion të sistemit të mbikëqyrjes elektronike, i cili synon t’u japë gjykatave një mundësi reale për zbatimin e masave alternative ndaj arrestit në burg. Sipas Gogut, është siguruar financimi i nevojshëm për vitin 2027 dhe objektivi është që sistemi të jetë operacional në mars 2027. “Një alternativë që shteti nuk e ofron realisht, nuk është alternativë. Kjo është përgjegjësi e ekzekutivit, jo e gjykatës”, deklaroi Gogu. Sistemi i ri parashikohet të mbështetet nga personel i trajnuar dhe protokolle të përcaktuara për reagimin dhe raportimin pranë gjykatës dhe prokurorisë. Në këtë kuadër, parashikohet edhe forcimi i kapaciteteve të Shërbimit të Provës.
