Lajme Zone
PolitikëReport TV

Reforma e pensioneve gati në 2028-ën/ Ministrja Ibrahimaj për Report TV: Në 2027-ën dyfishohen bonuset mujore! Po monitorojmë çmimet e ushqimeve që tani, për të shmangur spekulimet në janar


Dyfishimi i bonusit mujor për pensionistët, rritja e punësimit për të rinjtë, programi i ri i strehimit e deri tek monitorimi i rreptë i tregjeve, janë një pjesë e politikave që do të zbatohen nga Ministria e Ekonomisë në vitin e ardhshëm, përmes një buxheti prej 42 miliardë lekë. Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj në një intervistë në emisionin ‘Portofol’ me gazetaren Eliza G

Dyfishimi i bonusit mujor për pensionistët, rritja e punësimit për të rinjtë, programi i ri i strehimit e deri tek monitorimi i rreptë i tregjeve, janë një pjesë e politikave që do të zbatohen nga Ministria e Ekonomisë në vitin e ardhshëm, përmes një buxheti prej 42 miliardë lekë. Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj në një intervistë në emisionin ‘Portofol’ me gazetaren Eliza Gjediku në Report Tv, liston prioritetet për vitin e ardhshëm. LEXO edhe...Pensionet/ Çoçoli: Qeveria të mbajë premtimin për shpërblim në fundvit! Sefa: Të hiqen tavanet për bonuset mujore, të përfitojë çdo i moshuar (VIDEO) “Buxheti i vitit 2027 për Ministrinë e Ekonomisë dhe inovacionit është rreth 42 miliard lekë ku 70% e tij shkon për mbështetjen e sigurimeve shoqërore, pra për pensionet. Në këtë buxhet ne kemi marrë masa që të mund të reflektohen mirëqenia, pra e gjithë rritja ekonomike të mund të rishpërndahet”, tha mes të tjerash Ibrahimaj. Ministrja sqaron se fokusi për vitin 2027, do të vijojë të jetë tek pensionistët, duke iu dyfishuar bonusin që nga 1 janari. “Në vitin 2027 ne do të dyfishojmë bonus mujor siç kishim premtuar me qëllim që të ardhurat e pensionistëve të shkojnë drejt atyre tavaneve që ne kishim përcaktuar. Pra nëse i referohemi atyre personave që kanë vite të plota pune dhe kanë një pension nën 40.000 lekë, nëse këtë vit marrin 1800 lekë të reja ose 18.000 lekë të vjetra në muaj, këtë vit ata do të marren 36.000 ALL në muaj ose 3600 lekë”, tha Ibrahimaj. Më tej në prill do të bëhet indeksimi i ardhshëm që do ti kushtojë buxhetit të shtetit 4 miliardë lekë. “Ne këtë vit e afruam në korrik dhe në 2027-n do fillojë të shpërndahet në muajin prill siç historikisht në fakt ka qenë e reflektuar. Ka një kosto totale prej 4 miliard lekësh”, thekson ministrja. E pyetur për skemën e re të pensioneve, ministrja sqaron se: “Skema e pensioneve do të finalizohet gjatë vitit 2027 dhe besoj që do fillojë materializimi nga fillimi i vitit 2028”. Prioritet për 2026-ën ministrja sqaron se do të jetë edhe monitorimi i tregjeve ushqimore por edhe i hidrokarbureve për të mos lejuar spekulimet me çmimet pas uljes së TVSH-së në 6% për ushqimet apo zhvendosjes së taksës së qarkullimit tek taksa e mjeteve. “Garancia që ne mund të japim për qytetarin është që në radhë të parë politika fiskale në drejtim të kostos së ushqimeve u reduktua, nga 20% që ishte TVSH-ja për ushqimet bazë do të shkojë 6%, që në parim duhet të ketë një reduktim prej gati 11-12% në çmimet e ushqimeve bazë në bazë të kësaj këtij reduktimi të tatimit mbi vlerën e shtuar për këtë kategori produktesh. Ne garantojmë qytetarët që ne do të monitorojmë çmimet. Do të monitorojmë çmimet jo vetëm çmimet ndaj konsumatorit, por çmimet në të gjithë zinxhirin e vlerës së vetë. Ne do të kemi një monitorim të vazhdueshëm edhe të çmimeve të karburanteve”, sqaron ministrja. Politika fiskale e vitit 2027 thotë Ministrja e Ekonomisë, synon të lë më shumë të para në xhepat e qytetarëve, teksa thekson se rritja e TVSH-së standarde me 1 pikë përqindje do të ketë ndikim tek kostot e prodhimit. “Duhet të kuptojmë që rritja e TVSH-së, pra nga 20 në 21% në xhepat e qytetarëve ka më pak kosto sesa rritja e shportës bazë dhe sidomos në xhepat e familjeve që kanë të ardhura më të ulëta”, tha Ministrja. Në nisje të 2027-ës, ndryshon edhe formula e tatimit mbi të ardhurat, ku për herë të parë do të ketë një normë 30% tatim për pagat më të larta se 700 mijë lekë në muaj. Por gjithashtu rritet pragu për pagat që tatohen me 13%, pasi pagat nga mbi 60 mijë lekë deri 300 mijë lekë do të kenë këtë normë tatimore, aktualisht është deri tek pagat 200 mijë lekë. “Edhe politika e rritjes së tavanit të pagesës së tatimit 23% mbi të ardhurat është një politikë e cila synon të mbështesë shtresën e mesme të profesionistëve ato të cilët në fakt duhet të kenë më shumë të ardhura në dispozicion pasi janë shtresa e cila garanton edhe një lloj specializimi në tregun e punës”, shprehet Ibrahimaj. Ora 20:18 Pensionet/ Çoçoli: Qeveria të mbajë premtimin për shpërblim në fundvit! Sefa: Të hiqen tavanet për bonuset mujore, të përfitojë çdo i moshuar (VIDEO) Pasi ministrja Delina Ibrahimaj nuk dha një përgjigje finale nëse do të ketë shpërblim për fundvit për pensionistët, eksperti i ekonomisë Fatos Çoçoli tha se Qeveria duhet të mbajë premtimin dhe të mundësojë që të moshuarit ta marrin bonusin e fundvitit.“Në dhjetor, të gjithë pensionistët tanë të nderuar presin gjelin e Vitit të Ri. Me vulë, pa vulë, unë kërkoj nga Qeveria që e mbaj me taksat e mia, ta mbajë këtë premtim. Ky premtim nuk është bërë as me vulë, ne e kemi dëgjuar të gjithë që ‘për shkak të suficitit të të ardhurave’... Ky si premtim duhet mbajtur. Qeveria të bëjë publike sa më parë, sepse ata pensionistë e presin ata”, tha mes të tjerash Çoçoli.Ndërsa eksperti Ergis Sefa propozoi heqjen e tavaneve për secilën kategori pensionistësh, në mënyrë që të gjithë pensionistët të përfitojnë nga bonuset mujore.“Unë jam që Qeveria t’i heqë plotësisht tavanet për secilën kategori pensionistësh dhe të gjithë pensionistët ta marrin bonusin. Pavarësisht formës së pensionit që kanë dhe të mos ketë fare tavan. Ka para mjaftueshëm, sepse ata 70 mijë pensionistë që nuk e përfitojnë bonusin mujor, po flasim për një impakt buxhetor 25-30 milionë euro”, tha mes të tjerash eksperti Sefa. Share Ora 19:56 Në 2027-ën në zbatim programi i ri i strehimit, ministrja: Subvencion 50% të qirave dhe kredi me interes 0-3% për blerje banese (VIDEO) Me nisjen e vitit 2027, Qeveria ka planifikuar një sërë masash të rëndësishme, të lidhura me programin e strehimit, me qëllim për t’i ardhur në ndihmë familjeve të reja, profesionistëve të rinj, studentëve e familjeve në nevojë.Ministrja Ibrahimaj tha se për çiftet e reja do të ketë një numër kredish të vëna në dispozicion, të cilat shteti sipas saj do i subvencionojë deri në 3%.Ibrahimaj tha gjithashtu se pjesë e programit do të jetë edhe subvencionimi i qirave deri në 50% për një kategori të caktuar të të rinjve.“Një tjetër politikë shumë e rëndësishme është ajo e strehimit të cilën neve e kemi bërë të ditur dhe më parë. Ne synojmë që nga fundi i këtij viti të shpallim thirrjet me qëllim që të mund të subvencionojmë normat e interesit për familjet e reja, për profesionistët të rinj, për të rinjtë dhe të rejat të cilët kërkojnë një apartament dhe duan të strehohen me një kosto më të ulët. Do të ketë një numër apartamentesh të cilat janë do të jenë me zero interes, apartamente me vlera dhe me sipërfaqe të vogla. Gjithashtu do të ketë një numër kredish të vëna në dispozicion për çiftet e reja, dhe për ata që kanë tashmë një familje në të cilat neve do të subvencionojmë normën e interesit deri në 3%.Gjithashtu do të fillojmë një program i cili do të subvencionojë qiranë, për qira të cilat kanë një tavan të përcaktuar. Ne do të subvencionojmë gjysmën e qerasë pasi pa diskutim, strehimi është një nga çështjet që më së shumti shqetëson të rinjtë dhe të rejat dhe siç thashë ne kemi ndërtuar një buxhet i cili në 360 gradë suporton familjet, suporton çiftet e reja, suporton rritjen e të ardhurave të në dispozicion të familjeve të reja”, tha ministrja Ibrahimaj. Share Ora 19:47 Qeveria redukton TVSH-në, por sa do të ulen çmimet e ushqimeve? Ibrahimaj: Po bëjmë kontrolle dhe verifikim të faturave për të shmangur abuzimet (VIDEO) Janë 54 produkte ushqimore që konsumatorëve shqiptarë duhet t’u kushtojnë më pak nga janari i 2027-ës, vetëm prej uljes së TVSH-së për ushqimet nga 20% në 6%.Për të garantuar këtë ulje ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, shpjegon se puna monitoruese ka nisur, edhe me ndihmën e “Pasqyrës së Çmimeve”.“Para disa muajsh ne bëmë publike platformën Pasqyra e Çmimeve, e cila pikërisht synon të bëjë transparencë në çmimet e ushqimeve. Gjithashtu brenda kësaj platforme nuk bëhen vetëm transparente çmimet e konsumatorit, por ne kemi një raportim edhe nga i gjithë zinxhiri, pra nga furnitorët, nga importuesit, nga prodhuesit, me qëllim për të kuptuar se çfarë ecurie ka çmimi që në doganë apo që në prodhim për të kuptuar se kush është hallka që ka marzhe më të larta apo që ka kosto më të larta. Kjo është një analizë e cila i shërben dhe reduktimit të çmimit dhe pasqyrimit të tatimit, të ulur në çmimin final të konsumatorit”, tha mes të tjerash IbrahimejGjithashtu do të kontrollohen edhe faturat e fiskalizuara vetëm për të verifikuar nëse ka luhatje të forta çmimesh gjatë kësaj periudhe. Qeveria i frikësohet një rritje të çmimeve këtë vit si spekulim, me qëllim që të ulen çmimet në janar prej reduktimit të TVSH-së.“Ndërkohë që prej disa vitesh ne kemi sistemin e faturave elektronike, të cilat na garantojnë që ato çmime që do të raportohen nga secili prej tregtarëve do të kontrollohen nga faturat e lëshuara prej tyre, me qëllim verifikimin edhe të faturave. Ne kemi filluar që tani këtë proces sepse meraku i madh që kemi, është që bizneset mund të bëjnë spekulime duke rritur çmimet paraprakisht në mënyrë, që pastaj mbas 1 janarit kur të hyjë në fuqi tatimi i reduktuar të mund t'i ulin. Kjo është diçka që ne jemi të kujdesshëm, jemi të shqetësuar dhe jemi duke u monitoruar”, shtoi Ibrahimaj. Share Ora 19:43 Hiqet taksa e qarkullimit nga karburanti, a do të ulen çmimet? Ministrja zbulon si do të bëhet kontrolli i sektorit (VIDEO) Taksa e qarkullimit që prej 2011-ës, është paguar në karburant, e që sot është 27 lekë për litër (32.4 lekë me TVSH), nga janari 2027, kalon tek taksat e makinës, dhe do të përllogaritet në bazë të vjetërsisë së mjetit, fuqisë motorike dhe karburantit që përdor.Për të garantuar uljen e çmimit të naftës dhe të benzinës pas heqjes së taksës së qarkullimit nga karburanti, Ibrahimaj sqaron se po shqyrtohet një “mekanizëm i ri transparence”.“Jemi duke menduar një mekanizëm transparence i cili do të jetë permanent me qëllim që të garantojmë që ai reduktim i taksës nuk do të jetë vetëm i reflektuar në çmimet e tabelave në momentin e parë pasi ajo është e paevitueshme, por do të jetë në mënyrë permanente reflektuar në çmimet e tabelave.Ne kemi një transferim, po të themi, të një pjese të të ardhurave që do të mblidheshin nga karburantet në makina. Megjithatë dhe aty ka një deficit prej 5 miliard lekësh rreth gati 60 milionë euro. Sigurisht që efektiviteti i mbledhjes së taksës në pompë është shumë më i lartë sesa efektiviteti i mbledhjes së taksës në makina. Megjithatë është një nisëm të cilën neve vendosëm që ka ardhur momenti ta ndërmarrim pasi çmimet e karburanteve për hir së vërtetës janë të larta dhe të ndikuara nga kriza në Lindjen e Mesme”, tha mes të tjerash Ibrahimaj. Share Ora 19:39 70 mijë pensionistë pa bonus mujor, Ibrahimaj: Do vlerësohet edhe një herë skema në dhjetor! Muajin tjetër vendim edhe për shpërblimin e fundivitit (VIDEO) Nga bonuset mujore nuk përfitojnë të gjithë pensionistët, për shkak të tavaneve të caktuara nga qeveria.Praktikisht kush ka pension mbi 40 mijë lekë nuk përfiton. Kjo skemë thotë ministrja Delina Ibrahimaj do të jetë objekt rishikimi edhe një herë në dhjetor, për të parë nëse ka vend për të ndryshuar tavanet.“Janë rreth 70.000 pensionistë të cilët nuk përfitojnë nga ky bonus, pasi kanë të ardhura më të larta sesa ato të parashikuara në dyshemetë që ne kemi përcaktuar. Ne e kemi deklaruar që çdo e ardhur e cila nuk shpenzohet, pra del jashtë parashikimit buxhetor në fund të vitit, do të shkojë tek fondi që ne kemi krijuar pranë Bankës së Shqipërisë për pensionet. Në bazë të ecurisë ekonomike të këtij viti dhe në bazë të rezultateve të fundit të vitit, kjo vendimmarrje do jetë në dhjetor. Ne mund të vendosim sigurisht që të kemi një rishpërndarje tjetër”, tha Ibrahimaj.Pyetje: “Do kenë shpërblim pensionistët këtë fundvit përveç bonusit mujor?”“Është një tjetër vendim që neve do të marrim më tutje gjatë vitit dhe do të jetë bazuar në aktin normativ që do të dali”, u përgjigj ministrja. Share R.Xh/SI.E./ReportTv.al ekonomia shqiptare Delina Ibrahimaj ministria e ekonomise pensionet cmimet e ushqimeve TVSH bonusi i pensioneve Komento Komente Sondazhi i ditës: Cilin mbështesni në përplasjen politike që u hap? Ramën 50.4% Veliajn 21.1% Asnjërin 28.5% Vota total: 1116 Sondazhi i ditës: Cilin mbështesni në përplasjen politike që u hap?