Islandezët iu drejtuan dje kutive të votimit për të vendosur nëse vendi duhet të rifillojë negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Rezultatet e pjesshme të publikuara mëngjesin e sotëm nxjerrin “Po”-në në avantazh, por diferenca mbetet aq e vogël sa fituesi nuk mund të shpallet ende. Pas numërimit të rreth 87 mijë votave, ose afërsisht 40% të fletëve, 51.2% e qytetarëve kanë mbështetur rihapjen e negociatave me Brukselin, ndërsa 48.8% kanë votuar kundër. “Po”-ja kryeson në Reykjavik, kurse “Jo”-ja është më e fortë në zonat rurale. Rezultati përfundimtar pritet gjatë së dielës, pasi votat nga zonat e izoluara duhet të transportohen drejt qendrave të numërimit me avionë, anije dhe automjete. LEXO edhe...Moska: Nuk ka arsye për të përmirësuar marrëdhëniet me udhëheqësit aktualë të BE-së Referendumi nuk vendos anëtarësimin e menjëhershëm të Islandës në BE. Nëse fiton “Po”-ja, qeveria do të rifillojë negociatat e pezulluara në vitin 2013. Bisedimet mund të nisin deri në fund të këtij viti dhe të zgjasin 18–24 muaj, ndërsa marrëveshja përfundimtare do t’u paraqitet sërish qytetarëve në një referendum të dytë. Islanda aplikoi për anëtarësim në vitin 2009, pasi kriza financiare goditi rëndë bankat dhe ekonominë e saj. Por negociatat u ndërprenë katër vjet më vonë, kryesisht për shkak të frikës se vendi do të humbiste kontrollin mbi ujërat dhe kuotat e peshkimit. Ky sektor përbën rreth 40% të eksporteve islandeze dhe mbetet kundërshtari më i fuqishëm i afrimit me Brukselin. Mbështetësit e “Po”-së argumentojnë se afrimi me BE-në dhe mundësia e përdorimit të euros do të sillnin më shumë stabilitet ekonomik. Norma bazë e interesit në Islandë është 8%, krahasuar me 2.25% në Bankën Qendrore Europiane, ndërsa kreditë e banesave dhe kostoja e jetesës janë rritur ndjeshëm. Kundërshtarët thonë se këto janë probleme që duhet t’i zgjidhë politika islandeze dhe jo Brukseli. Debati është rikthyer edhe për shkak të luftës në Ukrainë dhe tensioneve në Arktik. Islanda nuk ka ushtri dhe mbështetet te NATO-ja për mbrojtjen e saj. Interesi në rritje i Rusisë dhe Kinës për rajonin, si dhe kërcënimet e Donald Trump ndaj Groenlandës, kanë shtyrë shumë qytetarë të pyesin nëse një vend kaq i vogël mund të vazhdojë të qëndrojë vetëm. Nëse avantazhi i “Po”-së ruhet deri në fund, Islanda do të rikthehet pas 13 vitesh në tryezën e bisedimeve me Brukselin. Por vendimin përfundimtar nëse vendi do të hyjë ose jo në Bashkimin Europian do ta marrin përsëri qytetarët, pasi të njihen kushtet e anëtarësimit. U.D/ReportTv.al Reykjavik islande referendum BE Komento Komente Sondazhi i ditës: Si ju duket plani i qeverisjes i paraqitur në Pogradec nga Rama? Mirë 52% Keq 35.1% Nuk e di 12.9% Vota total: 5831 Sondazhi i ditës: Si ju duket plani i qeverisjes i paraqitur në Pogradec nga Rama?
