Lajme Zone
REFERENDUMI,  “ANTIDODA” E  AUTOKRACISË
PolitikëCNA

REFERENDUMI,  “ANTIDODA” E  AUTOKRACISË

Realiteti ka treguar e tregon se referendumi  është rruga ...

Realiteti ka treguar e tregon se referendumi është rruga më efikase për t’ja kthyer pushtetin popullit votues. Ashtu si antidoda shërben për të neutralizuar efektin vrasës të helmit edhe referendumi ofron të njëjtin ndaj politikave helmuese të qeverisësve autokrat, që helmojnë miliona jetë njerëzore.

Për të mos e lenë fatin e demokracisë dhe të popullit votues në dorë të humorit të udhëheqësve autokrat është shpikur referendumi. Sepse çfarë është një sipërmarrje e tillë? Sipas përkufizimit politologjik: “Referendumi është votim i drejtpërdrejtë i elektoratit me të drejtë vote për të miratuar, refuzuar ose shprehur mendimin për një ligj, propozim apo çështje me rëndësi të veçantë politike e shoqërore.” Në ndryshim nga votimet e zakonshme ku qytetarët zgjedhin përfaqësuesit, deputetët, kryetarët e këshilltarët bashkiakë, në referendum populli vendos vetë për çështje të rendësishme konkrete që i përkasin komunitetit lokal dhe atij mbarëkombëtar.

Referendumet shërbejnë për të matur vullnetin ose opinionin e popullit për një çështje të caktuar, si p.sh. miratimi i ndryshimeve Kushtetuese etj. Karakteristika ligjore e referendumit është votimi përmes një pyetjeje të qartë në fletën e votimit (zakonisht me përgjigje "Po" ose "Jo"). Për të qenë i vlefshëm ose fitues, shpesh kërkohet pjesëmarrje minimale e caktuar e votuesve në listën referendare (zakonisht një prag prej 50% ose 1/3), sipas ligjeve specifike të çdo vendi. Referendumi ka lindur në shekullin XVI, në kantonin zviceran Graubünden ku shënohet edhe përdorimi i parë i dokumentuar i termit dhe praktikës së sotme refendare.

Format arkaike të votimit popullor për çështje ligjore i kanë rrënjët në asambletë e Greqisë dhe Romës së Lashtë, por institucioni që njohim sot u zhvillua dhe u përsos në territorin zviceran, ku referundumi vlerësohet si mekanizëm modern i demokracisë direkte. Domethenë si antidodë kundër rregjimeve autokratike dhe udhëheqësve autokratë. Referendumi u shndërrua në institucion formal kombëtar në viti 1848, kur u përfshi në Kushtetutën e parë Federale të Zvicrës, për tu zgjeruar më tej me rishikimin kushtetues të vitit 1874. Sot, krahas qënies shtet që funksionon si orat e pavdekëshme artizanale që prodhon ,Zvicra vlerësohet si "kryeqyteti botëror i referendumeve." Nga që mbart rreth gjysmën e të gjitha referendumeve të organizuara në nivel kombëtar e mbarë global.

I përmenda të gjitha këto për të argumentuar dobishmërinë e referendumeve në jetën politiko-shoqërore-ekonomike të vëndeve, që e aplikojnë atë. Vlefshmëria dhe dobishmëri e referendumeve është veçanërisht e domosdoshme për vëndet ballkanike akrepat e orëve të të cilëve lëvizin sipas qejfit të autokratëve që s’dëgjojnë të lëshojnë pushtetet edhe kur i kanë zhytur në gjiriz popujt e tyre. Në këtë konteks Shqipëria është një nga vëndet ballkanike më problemore, nga që nuk e ushtron referendumin për ti dhenë zgjidhje paqësore problemeve të rendësishme kombëtare. Megjithëse e drejta për mbajtjen e referendumit në Republikën e Shqipërisë përcaktohet në Nenin 150 të ndërlidhur me nenet 2 (Pika 2), 151, 152, 177 të Kushtetutës, nga viti 1990 deri në 2026, në Shqipëri janë mbajtur gjithsej vetëm tre referendume të përgjithshme popullor.

Të treja të zhvilluar përgjatë viteve ‘90-‘98, ndërsa që prej vitit 1998 e deri më sot nuk është organizuar asnjë proces referendar në nivel kombëtar apo vendor.

Pra 50 mijë shtetasit shqiptar me të drejtë vote, dhe jo më pak se 1/5 e deputetëve apo anëtarëve të Këshillit të Ministrave nuk e kanë ushtruar të drejtën kushtetuese për t'i kërkuar Presidentit referendum për çështje të një rëndësie të veçantë, Ka ndodhur kjo ndërsa tek ne ka me qindra ligje të rendësishme të vjetëruara, në emergjencë ndryshimi, të mbajtura peng nga autokratët, (duke përfshirë dhe nene të veçanta të Kushtetutës), megjithëse kufizojnë të drejtat, lirinë e barazinë e individit. Për të ndriçuar arsyen e zbrazëtisë 28 vjeçare të mosmbajtjes së referundumeve le të kujtojmë kronologjikisht rezultatet anti-autokratike të tre referendumeve të mbajtura përgjatë viteve 1990-1998. Referendumi Kushtetues i 06 nëntorit 1994 është i pari në historinë e shtetit shqiptar.

Qytetarët votuan për miratimin ose jo të projekt-kushtetutës së re të propozuar nga mazhoranca e atëhershme e presidentit Sali Berisha. Projekt-ligji u refuzua nga rreth 55.7% e votuesve "Jo". Referendumi për Formën e Qeverisjes u mbajt në 29 qershor 1997, në kohën e krizës së skemave piramidale. Popullit iu kërkua të zgjidhte midis alternativave "Republikë" apo "Monarki Kushtetuese". Me rreth 66.7% të votave fituese doli forma e qeverisjes Republikë Parlamentare. Referendumi Kushtetues i 22 nëntorit 1998, u mbajt për miratimin e Kushtetutës së re të Shqipërisë (që është ende në fuqi sot).

Këtë herë, populli referendar votoi masivisht "Po", duke i dhënë vendit Kushtetutën e parë të plotë demokratike pas rënies së komunizmit. Nga 1998 deri më sot pjesë të veçanta të përmbajtjes së Kushtetutës, sikurse dhe shumë ligje të tjera tejet të rendësishme janë ndryshuar jo me referendum por me karton të shumicës sunduese të parlamentarëve të maxhorancës që qeveris vendin e komanduar nga autokracia Rama.

Ka pasur nisma të tjera referendare ndër vite, si ajo e Aleancës Kundër Importit të Plehrave “revolucioni “Flamingo”, protestat aktuale studentoro-popullore, apo lëvizjet të tjera të shoqërisë civile për shfuqizimin e ligjeve të caktuara, por ato ose janë anuluar për shkak të tërheqjes së ligjit nga qeveria, ose kanë mbetur në fazat nismëtare të mbledhjes së firmave.

Përse? Përse qeveritë shqiptare i fshihen referendumeve duke “ngrirë” të drejtën kushtetuese të thirrjes së tyre? Sepse ligjërisht e drejta kushtetuese referendare është e e parashikuar, e mbështetur madje dhe me një sërë ligjesh e nën ligjesh, kurse praktikisht është lenë në harresë mënjanuese.

Duke qenë dëshmi kokëforte e prezencës së sistemit autokratik në thelb të strukturës qeverisëse. Sikur të kishte funksionuar e drejta kushtetuese e referundumit dhe jo autokracia, Shqipëria nuk do ishte përndjekur nga krizat konsistente, sikurse “revolucionarët Flamingo”, studentët, gjimnazistët e qytetarët nuk do të kishin zbritur në sheshbetejat shumëjavore para selisë së autokratit./CNA Lajme ekskluzive nga CNA

Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.