Në vendin tonë janë raportuar 27 vatra zjarri, prej të cilave 17 janë shuar plotësisht, 2 janë nën mbikëqyrje dhe 8 mbeten aktive. Në operacione janë angazhuar 265 forca operacionale dhe 38 automjete zjarrfikëse, të mbështetura nga 170 forca ushtarake dhe 3 automjete zjarrfikëse të Forcave të Armatosura, ndërsa helikopterët e Forcës Ajrore kanë ndërhyrë në 4 operacione.
Vëmendja kryesore është përqendruar në qarqet Dibër, Lezhë, Tiranë dhe Shkodër.
Në Dibër, operacionet vijojnë në Vajkal, Lundre–Madhesh dhe Mallunxë–Lis, me angazhim të konsiderueshëm të forcave tokësore dhe mbështetje ajrore në zonat e Matit; në këto vatra nuk raportohen rreziqe për zonat e banuara.
Në Dajt, pavarësisht riaktivizimit të një vatre, janë angazhuar 60 forca dhe nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Situata më problematike paraqitet në qarkun Lezhë, veçanërisht në zonën Kalivaç–Zimaj–Kashnjet, ku u realizua evakuimi i banorëve dhe ndërhyrja u përforcua me 2 helikopterë të Forcës Ajrore, 50 forca ushtarake dhe 3 automjete zjarrfikëse, krahas strukturave vendore.
Ndërkohë, në Mnelë të Vogël, Vau i Dejës, intensiteti i zjarrit është ulur dhe rreziku për zonat e banuara është shmangur, ndërsa vijon puna për shuarjen përfundimtare. Top Channel

