Lajme Zone
Range Rover luksoz, pasaporta false dhe mijëra paund: Si trafikantët shqiptarë po sfidojnë kufirin britanik
PolitikëPolitiko
Ky artikull është pjesë e një historie me 4 burime — Krahaso mbulimin →

Range Rover luksoz, pasaporta false dhe mijëra paund: Si trafikantët shqiptarë po sfidojnë kufirin britanik

Një investigim i Sky News ka zbuluar skemën e një trafikanti njerëzish, i cili organizon kalimin e emigrantëve drejt Britanisë përmes tunelit të Kanalit të La Manshit, duke përdorur dokumente false. Sipas investigimit, trafikanti pretendon se për 24 mijë paund mund të sjellë një emigrant deri në Londër, të ulur në sediljen e pasagjerit të një Range Rover me vlerë rreth 100 mijë paund. Hetimi ngre

Një investigim i Sky News ka zbuluar skemën e një trafikanti njerëzish, i cili organizon kalimin e emigrantëve drejt Britanisë përmes tunelit të Kanalit të La Manshit, duke përdorur dokumente false. Sipas investigimit, trafikanti pretendon se për 24 mijë paund mund të sjellë një emigrant deri në Londër, të ulur në sediljen e pasagjerit të një Range Rover me vlerë rreth 100 mijë paund.

Hetimi ngre shqetësime për sigurinë e kontrolleve kufitare britanike, ndërsa një ish-oficer i Border Force, i cili ka punuar në Britani dhe Europë, ka deklaruar se stafi përballet me presion të madh dhe mungesa personeli.

“Stafi ndihet i mbingarkuar. Ka nevojë për investime të vazhdueshme në trajnime dhe teknologji për të përballuar numrin e madh të pasagjerëve që kalojnë përmes tunelit të Kanalit”, tha ai për Sky News.

Sipas tij, në disa raste ekziston mundësia që persona të kalojnë përmes kontrolleve për shkak të volumit të lartë të punës.

“Është shumë e vështirë. Nëse dikush arrin të kalojë dhe është aq i sigurt sa të ulet hapur në makinë, duhet të pyesësh: është problemi te teknologjia apo te oficeri në sportel?”, u shpreh ish-oficeri.

Ai shpjegoi se presioni rritet sidomos kur ka radhë të gjata automjetesh dhe kohë pritjeje të mëdha, pasi punonjësit duhet të përpunojnë trafikun sa më shpejt.

Një tjetër burim, një zyrtar i Ministrisë së Brendshme britanike që punon në zbatimin e rregullave të emigracionit dhe azilit, tha se nuk ishte surprizë që tuneli i Kanalit po shënjestrohet nga trafikantët.

“Ne trajtojmë persona në çështje emigracioni që na thonë se kanë hyrë përmes tunelit duke përdorur pasaporta false. Disa prej tyre thonë se kanë paraqitur dokumentet te një oficer kufitar dhe janë lejuar të kalojnë”, tha ai.

Pas marrëveshjes me Shqipërinë, trafikantët ndryshuan mënyrën e kalimit

Ish-oficeri i kufirit tha se pas marrëveshjes së kthimeve të shpejta mes Britanisë dhe Shqipërisë, e cila synonte të dekurajonte kalimet ilegale me varka të vogla në Kanalin e La Manshit, u vu re një rritje e përpjekjeve për hyrje me dokumente false.

“Besoj se pati një ndikim të madh. Kur bëhet më e vështirë të kalosh në një mënyrë, njerëzit përpiqen në një mënyrë tjetër”, tha ai.

Zyrtari i Home Office tha se tuneli i Kanalit “mbetet ende një problem”, por kalimet me varka të vogla marrin më shumë vëmendje publike sepse janë më të dukshme.

Shqetësim për shfrytëzimin e emigrantëve nga bandat kriminale

Investigimi i Sky News ngre gjithashtu shqetësime për emigrantët që hyjnë ilegalisht në Britani dhe më pas shfrytëzohen nga rrjetet kriminale për të shlyer borxhet ndaj trafikantëve.

Sipas ekspertëve të luftës kundër skllavërisë moderne, disa prej tyre mund të detyrohen të përfshihen në aktivitete kriminale, përfshirë trafikun e drogës.

Justine Carter, zëvendësdrejtore ekzekutive e organizatës Unseen, tha se rastet e trajtuara nga organizata janë rritur ndjeshëm që prej vitit 2018 dhe se vitin e kaluar 44% e rasteve përfshinin kontroll financiar.

“Skllavëria përmes borxhit përdoret për të detyruar dhe bllokuar viktimat përmes borxheve të fryra ose të manipuluara”, tha ajo.

Ajo paralajmëroi se shumë persona nuk e kuptojnë pasojën e hyrjes ilegale në Britani dhe përfjnë të varur nga grupet kriminale.

Eksperti: Brexit ka vështirësuar shkëmbimin e informacionit kundër krimit të organizuar

Dr. Andi Hoxhaj, studiues pranë institutit britanik RUSI, tha se një pjesë e debatit për emigracionin anashkalon faktin se në Britani ekziston një treg i madh droge që ushqen aktivitetet kriminale.

Sipas tij, Brexit ka ndikuar në shpejtësinë e shkëmbimit të informacionit mes autoriteteve britanike dhe atyre europiane.

“Një nga problemet më të mëdha është identifikimi i personave të përfshirë në trafik droge dhe krime të tjera në Europë kur ata mbërrijnë në Britani. Tani marrja e të dhënave kërkon dyfishin e kohës krahasuar me kohën kur Britania ishte pjesë e BE-së”, tha Hoxhaj.

Home Office: Rastet e hyrjeve ilegale përmes Kanalit janë të rralla

Ministria e Brendshme britanike hodhi poshtë shqetësimet për kontrollet kufitare, duke deklaruar se tuneli i Kanalit mbrohet nga kontrolle të shumta dhe teknologji të avancuar.

“Ne kemi kontrolle të gjera dhe teknologji lider në botë që mbrojnë kufijtë tanë në tunelin e Kanalit. Për këtë arsye, rastet e hyrjes ilegale përmes Kanalit janë jashtëzakonisht të vogla”, tha një zëdhënës.

Sipas Home Office, kërkesat për azil nga personat që kanë hyrë ilegalisht me kamionë ose makina kanë rënë me 25% gjatë vitit të fundit, ndërsa autoritetet britanike deklarojnë se kanë larguar nga vendi rreth 70 mijë persona pa të drejtë qëndrimi që prej zgjedhjeve. Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm