Transferimi i migrantëve në vendet e treta kushton shumë më tepër sesa menaxhimi i tyre brenda vendit. Anglia shpenzoi 715 milionë paund për 4 persona, Australia 8 miliardë euro për 5 mijë rikthime, ndërsa Italia pagoi 590 mijë euro për çdo riatdhesim nga Shqipëria. Kur llogaria nuk del, asnjë marrëveshje nuk qëndron... Në takimin joformal të ministrave të Brendshëm të Bashkimit Evropian, të mbajtur të martën përveç diskutimit të krizës migratore të Ceutës, disa qeveri ringjallën idenë e zhvendosjes tek vendet e treta të një pjese të menaxhimit të riatdhesimeve.
Rregullorja e re evropiane për këtë çështje, e cila hyri në fuqi më 12 qershor, e lejon në fakt lidhjen e marrëveshjeve me vende të treta për dy qëllime të ndryshme: krijimin e të ashtuquajturave “qendra riatdhesimi”, ku të transferohen shtetas jashtë BE-së pasi u është refuzuar kërkesa për azil dhe ndërkohë që presin riatdhesimin.
Apo të qendrave ku disa kërkues azili të presin rezultatin e kërkesës së tyre, sipas modelit të parashikuar fillimisht nga marrëveshja Itali-Shqipëri. Por edhe pse kuadri i ri ligjor i bën sot këto marrëveshje më të zbatueshme, pyetja më konkrete mbetet pa përgjigje: sa kushton në të vërtetë të zhvendosësh jashtë Evropës një pjesë të menaxhimit të migrantëve? Përvojat e deritanishme tregojnë qartë se, pasi të kapërcehen pengesat ligjore, problemi i vërtetë bëhet ai ekonomik.
Rasti britanik
Një nga rastet e para konkrete ku një vend perëndimor u përpoq të ndjekë një rrugë të tillë është Mbretëria e Bashkuar. Në prill 2022, qeveria e udhëhequr nga konservatori Boris Johnson nënshkroi një marrëveshje me Ruandën - një shtet i vogël pa dalje në det në Afrikën qendroro-lindore - për të transferuar atje disa kërkues të azilit.
Atje do të shqyrtohej kërkesa e tyre për strehim dhe nëse refuzohej, do të riatdhesoheshin. Por edhe në rast se kërkesa pranohej, migrantët do të qëndronin në Ruanda, e cila do të kujdesej për strehimin e tyre.
Megjithatë në korrik 2023, Gjykata e Lartë britanike e rrëzoi traktatin, duke pranuar ankesën e pesë kërkuesve të azilit. Gjyqtarët u mbështetën në rrezikun, të cilën e konsideruan “konkret”, që “personat e dërguar në Ruandë të riatdhesoheshin në vendet e tyre të origjinës, ku do të përballeshin me përndjekje ose trajtime të tjera çnjerëzore, pavarësisht se në fakt kishin një të drejtë të vlefshme azili”.
“Për këtë arsye, Ruanda nuk ishte një vend i tretë i sigurt”, theksoi gjykata në vendimin e saj. Përveç problemeve ligjore, projekti i Johnson u kritikua ashpër edhe për kostot. Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit të Britanisë, organizmit të pavarur që kontrollon shpenzimet publike, Mbretëria e Bashkuar i kishte premtuar Ruandës shuma marramendëse: 370 milionë paund ndihmë ekonomike, 20 mijë paund të tjera për çdo kërkues azili të transferuar, 120 milionë shtesë pas arritjes së 300 personave të parë, plus deri në 150.874 paund për frymë për të mbuluar 5 vjet kosto trajtimi dhe menaxhimi.
Këtyre u shtoheshin edhe shpenzimet e transportit dhe të trajnimit të stafit. Në qershor 2024, vetëm një vit pas nisjes së marrëveshjes dhe me vetëm 4 migrantë të transferuar vullnetarisht, Britania kishte shpenzuar tashmë mbi 715 milionë paund.
Këto shifra kanë nxitur analiza të shumta mbi koston reale të operacionit për çdo kërkues azili të transferuar. Sipas një vlerësimi të Institutit për Kërkime të Politikave Publike (IPPR), transferimi i një kërkuesi azili në Ruandë do të kushtonte deri në 228 mijë paund për person.
Ndërkohë lënia e tij në sistemin britanik të pritjes për dy vjet, do të kushtonte vetëm 53 mijë paund. Pra, edhe kur krahasohen vetëm kostot direkte, diferenca është e pamohueshme: transferimi jashtë vendit kushton më shumë se 4 herë sa menaxhimi brenda vendit.
Përpjekja australiane
Rasti australian është i ndryshëm, por të çon në të njëjtin përfundim. Që nga viti 2012, Australia ka transferuar në Papua Guinenë e Re dhe në Nauru (dy shtete të Oqeanisë) një pjesë të azilkërkuesve - gjithsej 4.388 persona, të zënë dhe të kthyer prapa kryesisht në det të hapur.
Marrëveshja me Papua Guinenë e Re përfi në vitin 2022, dhe që atëherë flukset janë ulur ndjeshëm. Por gjatë këtyre 10 vjetëve, për vetëm 5 mijë dëbime, qeveria australiane ka paguar një çmim të lartë.
Sipas një raporti të Parlamentit Evropian të korrikut 2025, Australia shpenzoi 13 miliardë dollarë australianë (rreth 8 miliardë euro) për transferimet jashtë vendit, duke tejkaluar vazhdimisht parashikimet buxhetore.
Vetëm në vitin fiskal 2024-2025, kostoja e mirëmbajtjes së çdo migranti në qendrën e Naurusë ishte rreth 600 mijë dollarë australianë (gati 370 mijë euro) – një shumë marrëmendëse.
Trump dhe emigracioni
Edhe administrata aktuale amerikane e Donald Trump ka filluar të lidhë marrëveshje me vende të treta për të strehuar një pjesë të migrantëve të dëbuar nga Shtetet e Bashkuara. Sipas raportit të Parlamentit Evropian, deri më 5 maj të këtij viti, qeveria e dytë Trump kishte transferuar rreth 19 mijë shtetas të gjetur ilegalisht në SHBA drejt të paktën 23 vendeve të treta.
Sipas një raporti të shkurtit të këtij viti nga pakica demokrate e Komisionit për Punët e Jashtme të Senatit, Shtëpia e Bardhë u ka paguar pesë qeverive të huaja mbi 32 milionë dollarë për të pranuar rreth 300 migrantë të parregullt të dëbuar.
Për shembull, Ruanda nënshkroi një marrëveshje për të pranuar deri në 250 persona kundrejt 7.5 milionë dollarëve - por deri tani janë dokumentuar zyrtarisht vetëm shtatë transferime, në gusht 2025, me një kosto që i kalon 1 milion dollarët për migrant, pa llogaritur këtu rreth 602 mijë dollarë për transportin ajror.
Vendet e tjera të përfshira janë Guinea Ekuatoriale, Palau, El Salvador dhe Esëatini, të cilat sipas të dhënave më të fundit, kanë pritur gjithsej 29 persona në këmbim të 5.1 milionë dollarëve.
Pakti Itali- Shqipëri
Italia përfaqëson rastin më të afërt me debatin evropian të ditëve të fundit. Projekti fillestar parashikonte çimin në Shqipëri të migrantëve të shpëtuar në det - të paktën ata që vinin nga vende të konsideruara “të sigurta” - për t’ua shqyrtuar kërkesën e azilit me procedurë të përshpejtuar.
Kostoja e parashikuar nisje për ngritjen dhe funksionimin e qendrave të Gjadrit dhe Shengjinit ishte rreth 680 milionë euro gjatë 5 vjetëve, me objektivin 36 mijë kalime në vit. Por që atëherë, gjithçka ka ndryshuar.
Vendimet e gjyqësorit dhe tërheqja e qeverisë Meloni i kanë kthyer këto dy struktura në Qendra për Qëndrim dhe Riatdhesim (CPR) - të njëjtat që funksionojnë edhe në Itali - ku mbahen të mbyllur personat pa të drejtë qëndrimi, në pritje të riatdhesimit.
Në maj të këtij viti, ministri i Brendshëm Matteo Piantedosi bëri të ditur se në vitin 2025 menaxhimi i qendrave në Shqipëri kushtoi rreth 50 milionë euro. Një shifër që e lë në hije financimin e të gjitha CPR-ve të tjera në Itali, të cilat për vitin 2026 kanë marrë gjithsej 17.3 milionë euro.
Për më tepër, po të krahasohet kjo shifër me vetëm 84 riatdhesime të realizuara nga Gjadri gjatë së njëjtës periudhë, del se çdo person i kthyer në vendin e origjinës i ka kushtuar mbi 590 mijë euro
Ritmi nuk është përmirësuar as këtë vit. Sipas monitorimit të Forumit për Azil dhe Emigracion, nga maji 2025 deri më 14 korrik 2026, qendra e Gjadrit ka pritur gjithsej 685 shtetas të huaj, nga të cilët janë riatdhesuar vetëm 101 prej tyre.
Leksioni i përbashkët
Edhe pse me modele shumë të ndryshme, përpjekjet e Britanisë, Australisë, Shteteve të Bashkuara dhe Italisë, të çojnë të gjitha në të njëjtin përfundim: të zhvendosësh jashtë vendit një pjesë të menaxhimit të migrantëve kushton shumë më tepër sesa ta bësh këtë brenda kufijve të tu.
Kjo s’do të thotë domosdoshmërisht se qendrat e jashtme janë një zgjedhje e paarsyeshme - qeveritë që i mbështesin ato synojnë kryesisht efektin parandalues dhe uljen e presionit politik që shkakton prania e migrantëve në territorin e tyre.
Por nëse deri tani debati evropian është përqendruar kryesisht te pyetja nëse krijimi i këtyre qendrave në vende të treta është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, përvojat e grumbulluara tregojnë se arsyeja e vërtetë pse kjo zgjedhje mund të mos jetë e duhura është thjesht çështje parash: nuk ka leverdi./Pamfleti nga “Pagella Politica”shqipëria ruanda migrantët Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Rajoni dhe Bota Europa në 'flakë', paralajmërojnë shkencëtarët: Ndëryni para se katastrofat klimatike, të kthehen në kriza ekonomike 7 Gusht 2026, 09:4309:43Rajoni dhe Bota Pamje tronditëse nga Japonia, salla e operacionit lëkundet nga tërmeti 7 ballë, mjekët nuk braktisin pacientin (Video) 7 Gusht 2026, 07:3607:36Rajoni dhe Bota Trump synon masa të reja kundër “turizmit të lindjeve”, pritet të kufizojë shtetësinë amerikane 6 Gusht 2026, 23:0323:03Rajoni dhe Bota Inteligjenca Artificiale po bëhet e rrezikshme, raporti britanik: “AI” u përpoq të mashtronte njerëzit dhe të mbulonte gjurmët e saj 6 Gusht 2026, 22:5422:54Rajoni dhe Bota Ukraina, shkolla e re e karteleve të kokainës 6 Gusht 2026, 22:3822:38Rajoni dhe Bota Droni me eksploziv në Aeroportin e Leipzigut, shtohen shqetësimet për ndërhyrje të huaj në zgjedhjet rajonale të Gjermanisë 6 Gusht 2026, 22:2122:21Rajoni dhe Bota

