Kreu i Frymës së Re Demokratike, Sali Shehu, i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama të japë dorëheqjen, duke paralajmëruar se këmbëngulja për të qëndruar në pushtet, përballë protestave studentore, rrezikon të thellojë tensionet në vend. I ftuar në emisionin “Drejt Për Drejt” në News24, Shehu e cilësoi lëvizjen e studentëve dhe pedagogëve si një zhvillim të rëndësishëm për Shqipërinë, ndërsa akuzoi kryeministrin se po refuzon të pranojë kërkesën për ndryshim. “Kjo protestë është lajmi më i bukur për Shqipërinë. Lajmi më i mirë është protesta e të rinjve, e studentëve dhe pedagogëve kundër një njeriu që ka shpallur veten të pazëvendësueshëm”, deklaroi Shehu. Ai kujtoi pjesëmarrjen e Ramës në lëvizjen studentore të dhjetorit 1990, duke bërë një krahasim mes qëndrimeve të tij të atëhershme dhe mënyrës se si po reagon sot ndaj protestave. “Edi Rama ka qenë pjesë e lëvizjes së dhjetorit të viteve ’90. Ka qenë pjesë e atyre njerëzve që kërkuan ndryshimin më të madh të sistemit të kaluar. Tani është shndërruar vetë në atë që kundërshtonte dhe çuditërisht nuk do ta kuptojë”, u shpreh kreu i FRD-së. Shehu theksoi se dorëheqja nuk duhet konsideruar një humbje politike, por një akt përgjegjësie përballë qytetarëve.
“Dorëheqja është akt qytetarie, është akt politik. Dorëheqja i ka ngritur lart politikanët e kohës së vjetër dhe të re. Dorëheqja nuk është falimentim, dorëheqja është qytetari”, deklaroi ai.
Më tej, kreu i FRD-së iu drejtua drejtpërdrejt kryeministrit, duke e akuzuar se po vendos në vështirësi forcat e rendit dhe po përdor segmente të tyre kundër protestuesve.
“Unë i bëj thirrje publikisht sonte nga studioja juaj: Zoti kryeministër, jep dorëheqjen! Ke popullin në rrugë. Ke vënë në një pozitë të vështirë forcat e sigurisë. Po përdor segmente të veçanta që të dëgjojnë ty për të nëpërkëmbur protestën. Do të dështosh”, tha Shehu.
Ai paralajmëroi gjithashtu se, nëse Rama nuk largohet përmes dorëheqjes, mënyra e largimit të tij mund të jetë politikisht më e rëndë.
“Nëse ka hequr dorë nga të gjitha këto virtyte, të qëndrojë. Por do të largohet si diktator”, u shpreh Shehu.
I pyetur për qëndrimin e mazhorancës, e cila ka përjashtuar dorëheqjen e kryeministrit dhe zgjedhjet e parakohshme, Shehu kritikoi edhe kreun e grupit parlamentar socialist, Taulant Balla.
“Taulanti më duket si gomari i Sanço Panços. Këta besojnë fjalët e veta”, deklaroi ai.
Sipas Shehut, kërkesa kryesore e protestuesve nuk është zhvillimi i menjëhershëm i zgjedhjeve të parakohshme, por largimi i qeverisë aktuale dhe krijimi i një qeverie kujdestare që do të përgatiste vendin për zgjedhje.
“Zgjedhjet e parakohshme nuk janë fundi i botës. Por protestuesit nuk po kërkojnë zgjedhje të parakohshme. Ata kërkojnë largimin e qeverisë dhe një qeveri kujdestare, e cila të përgatisë vendin qetësisht për zgjedhje”, theksoi kreu i FRD-së.
Ai argumentoi se Shqipëria ka nevojë për një proces zgjedhor të besueshëm, duke akuzuar klasën politike se ndër vite ka cenuar standardet demokratike.
“Të bëjmë një herë në historinë tonë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Sepse vetëm zgjedhjet e lira dhe të ndershme prodhojnë institucione të besueshme, të pakorruptuara”, deklaroi Shehu.
Në përfundim, ai vuri në dyshim argumentin e kryeministrit për legjitimitetin që i japin mandatet parlamentare.
“Kot mburret Edi Rama se ka 83 mandate. Edhe 830 mund të bësh me të vjedhura”, u shpreh Shehu, duke përsëritur akuzat e tij për proceset zgjedhore në vend. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
