Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar punën e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Gjykatës së Posaçme, duke i cilësuar ato si dy sukseset e reformës në drejtësi. Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Rama u shpreh se, pavarësisht problematikave, SPAK dhe GJKKO përbëjnë rezultatet më konkrete të reformës, ndërsa kritikoi Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP) dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGJ). “Dy suksese shoh në reformën në drejtësi: SPAK-un dhe GJKKO-në, me të gjitha problematikat që kanë. Dy suksese”, deklaroi Rama. Në vijim, kryeministri tha se “nëse ka një faliment, janë ato dy këshilla”, duke iu referuar KLP-së dhe KLGJ-së. “Dhe nëse ka një arsye për t’u shqetësuar Kuvendi i Shqipërisë, është pikërisht të reflektojë mbi reformën në drejtësi. Dhe jo mbi atë pjesë të reformës që është bërë lajtmotivi kryesor përditë e përditë: ‘Burg, burg, burg, burg, burg!’, por mbi atë pjesë të reformës që është lajtmotivi i jetës së atyre dhjetëra mijëra njerëzve që janë kthyer në dosje të mbuluara me pluhur”, u shpreh kryeministri.
