Kryeministri Edi Rama, ndau sot një mesazh drejtuar socialistëve, gjatë takimit në mbledhjen e zgjeruar të PS-së.
Rama u shpreh se PS duhet të bëjë të pamundurën që mandati i katërt i qeverisjes të mos jetë si mandatet e mëparshme.
Sipas Ramës, për PS-në, i katërti duhet të jetë mandati i një kthese strategjike drejt njerëzve duke kaluar nga kapitulli i sotëm i pranisë elektorale te kapitulli i ri i pranisë njerëzore.
Më tej, kryeministri dhe njëherësh kryesocialisti tha se qëndrimi i gjatë në pushtet kërkon jo vetëm hapjen e partisë për njerëzit më të rinj, por edhe hapësirën për ide të reja. “Mandati i katërt, nuk mund, nuk duhet dhe duhet të bëjmë çmos të mos jetë si të mëparshmit. Duhet të jetë kapitulli i një kthese të madhe jo vetëm për faktin që Shqipëria do të mbyllë negociatat e anëtarësimit në BE, as që PBB do të kapërcejë kufirin e 30 mld euro në vit që përbën kthesë për ekonominë, por për PS duhet të jetë mandati i një kthese strategjike drejt njerëzve duke kaluar nga kapitulli i sotëm i pranisë elektorale te kapitulli i ri i pranisë njerëzore. Nga partia që kërkon votën e njerëzve te partia që rri pranë njerëzve kur u tregojnë çfarë duan. Nga dëgjimi i njerëzve si mirësjellje te detyrimi ynë për të qenë atje, nga halli i qytetarit që shënohet te halli që qahet dhe përgjegjësia që e ndjek shënimin deri te vajtja e përgjigjes. Nga qytetari që kërkon të hapë një derë, te partia që e ndihmon të gjejë rrugën. Nga forca e madhe politike që fiton ditën e zgjedhjeve te besimi që fitohet çdo ditë kur s’ka zgjedhje. Të qëndrosh gjatë në pushtet do të thotë të hapësh partinë, të hapësh vendimmarrjen, procesin qeverisës për njerëz të rinj jo thjesht në moshë, por në mendësi, të krijosh hapësirë për ide të reja, të prodhosh drejtues, jo vetëm ndjekës.”,-theksoi Rama./CNA Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

