Lajme Zone
Rama: Shoqata lokale për mbrojtjen e territorit, fond për mbështetjen e tyre
PolitikëEuronews Albania
Ky artikull është pjesë e një historie me 2 burime — Krahaso mbulimin →

Rama: Shoqata lokale për mbrojtjen e territorit, fond për mbështetjen e tyre

Krijimi i shoqatave lokale për mbrojtjen e territorit dhe ngritja e një fondi për mbështetjen e tyre janë ndër nismat e prezantuara nga kryeministri Edi Rama gjatë podcastit “Flasim”, ku foli për zhvillimin e turizmit dhe mbrojtjen e mjedisit.

Krijimi i shoqatave lokale për mbrojtjen e territorit dhe ngritja e një fondi për mbështetjen e tyre janë ndër nismat e prezantuara nga kryeministri Edi Rama gjatë podcastit “Flasim”, ku foli për zhvillimin e turizmit dhe mbrojtjen e mjedisit. Sipas Ramës, komunitetet lokale do të mund të krijojnë shoqata që do të bashkëpunojnë me Ministrinë e Mjedisit për të evidentuar dhe sinjalizuar në kohë problematika në territoret e tyre. Këto struktura do të kenë në fokus çështje të tilla si menaxhimi i mbetjeve, pastrimi i pyjeve dhe parandalimi i zjarreve, si dhe evidentimi i ndërtimeve pa leje dhe prerjeve të paligjshme. “Ne kemi filluar të ftojmë komunitetet që kushdo të krijojë një shoqatë për mbrojtjen e territorit që merr përsipër të lidhet me Ministrinë e Mjedisit. Do mhemi të krijojmë një fond për ta mbështetur këtë iniciativë pa qëllim fitimi”, deklaroi Rama. Kryeministri e përshkroi nismën si një formë vullnetarizmi dhe bashkëpunimi mes komuniteteve dhe institucioneve, me synim mbrojtjen e territoreve dhe pasurive natyrore. “Secili ka punën e vet, por së bashku në një territor të caktuar kujdesen për të, duke lajmëruar në kohë kur ka një problem të pastrimit të pyllit që e bën më vulnerabël ndaj zjarrit, kur ka nevojë për pastrim të mbetjeve, apo kur ka nevojë për të ndaluar zhvillime pa leje e prerje të paligjshme”, tha ai. Rama solli si shembull Lumin e Shalës, të cilin e cilësoi si një aset të rëndësishëm turistik që duhet mbrojtur nga dëmtimi i mjedisit. Sipas tij, përfshirja më e drejtpërdrejtë e komuniteteve në monitorimin dhe mbrojtjen e territoreve synon të ndihmojë në ruajtjen e natyrës dhe në minimizimin e dëmeve që mund të shkaktohen nga zjarret dhe fatkeqësitë e tjera natyrore.