Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, i ftuar në News24, deklaroi se opozita mbështet protestat e studentëve dhe kërkesat e tyre, duke theksuar se ato janë kërkesa që PD i ka ngritur prej vitesh. Ai kundërshtoi përpjekjet për të përjashtuar nga protesta individë apo grupime të caktuara politike, duke i cilësuar këto qëndrime si dashakeqëse. I pyetur për kundërshtimet e disa protestuesve ndaj mundësisë që Sali Berisha të zëvendësojë Edi Ramën në krye të qeverisë, Baçi u përgjigj se zgjedhja e kryeministrit bëhet përmes votës dhe se qytetarët janë të lirë të vendosin kë do të votojnë. Sipas tij, PD nuk kërkon zgjedhje me Edi Ramën në krye të qeverisë, pasi pretendon se ai kontrollon të gjitha hallkat e shtetit dhe mekanizmat zgjedhorë. Baçi theksoi se rrëzimi i kryeministrit duhet të vijë përmes bashkimit të të gjithë faktorëve opozitarë, pa kushte dhe pa përjashtime. Deputeti i PD-së bëri të ditur se, sipas qëndrimit të partisë së tij, pas largimit të Ramës duhet të krijohet një qeveri kujdestare, e cila do të ketë detyrën të përgatisë zgjedhjet e reja. Ai argumentoi se zhvillimi i zgjedhjeve me Ramën ende në pushtet nuk do të garantonte, sipas tij, një proces të barabartë. Baçi u ndal edhe te ndryshimi i Kodit Zgjedhor, duke deklaruar se shumica e deputetëve të PD-së është për një reformë që t’u përgjigjet kërkesave të studentëve. Ai përmendi si opsion sistemin proporcional kombëtar ose rajonal, me lista 100% të hapura, duke iu referuar edhe modelit zgjedhor të Kosovës, të cilin e cilësoi si një shembull që mund të merret në konsideratë.
Luan Baçi: Ne jemi në mbështetje të studentëve për realizimin e kërkesave të tyre, që për hir të së vërtetës janë kërkesa që Partia Demokratike i ka pasur prej vitesh tashmë. Janë kërkesa që i ka parashtruar, janë kërkesa që, kur dilte në protestë Partia Demokratike, ftesa e saj ishte për të gjithë qytetarët e Shqipërisë, të Tiranës, për studentët, për socialistët e zhgënjyer. Pra, nuk thoshim ne në protestë të vijë ky, ky dhe ky, dhe ky të mos vijë. Pra, ajo narrativë që përdoret në protestë për të bërë përjashtime se kush do të jetë pjesë e protestës, kush i takon të jetë aty, është e gabuar. Për të mos thënë që është me qëllim të keq, është dashakeqëse. Në qoftë se nuk e duan, kur të vijnë zgjedhjet nuk e votojnë dhe, po nuk e votuan, nuk bëhet kryeministër.
Nuk e duan, mos ta votojnë. Absolutisht. E zgjedh vota atë si kryetar partie. Ne nuk themi që nuk bëjmë zgjedhje me Ramën kryetar të Partisë Socialiste. Ne themi nuk bëhen zgjedhje me Ramën kryeministër, që ka në dorë gjithë shtetin, ka në dorë gjithë pushtetin, ka në dorë të gjitha hallkat e këtij shteti. Pra, si kryetar partie nuk ia imponojmë asnjë partie politike. Edhe këto grupime, nuk e di çfarë emri mund t’u vë, që mund të kenë dhe përfaqësim politik nga mbrapa. Ne ju themi: kë keni kryetarin e partisë? Jo, absolutisht, ka probleme Partia Demokratike. I zgjidh Partia Demokratike, anëtarët e saj, strukturat e saj.
Është në të drejtën e shqiptarëve se kë do të votojnë. Nuk është në detyrimin tonë, as në detyrën tonë, të gjejmë se kë do të votojnë. Rrëzimi i Edi Ramës, si rrëzohet? Rrëzimi i Edi Ramës bëhet kështu: të gjithë faktorët opozitarë, pa përjashtim, pa vendosur kushte, bashkim pa asnjë kusht, të gjithë në shesh për rrëzimin e Ramës dhe jo për rrëzimin e Ramës që të bëjnë Sali Berishën kryeministër dhe të vijë Partia Demokratike direkt në pushtet, por rrëzohet Rama dhe ky parlament ka detyrën të krijojë qeverinë kujdestare. Një qeveri që duhet të përgatisë zgjedhjet. Sepse në qoftë se Rama jep dorëheqjen dhe bën zgjedhje, Rama t’i merr prapë zgjedhjet, se Rama përsëri e ka pushtetin, përsëri ka të gjitha mekanizmat, i ka bllokuar të gjitha hyrje-daljet që ai të marrë përsëri pushtetin. Jo, jo, pa qëllim. Partia Demokratike ka ngulur këmbë dhe vazhdon të ngulë këmbë: një qeveri kujdestare me një afat të përcaktuar, nuk e di se çfarë, por me detyrimin të ndryshojë Kodin Zgjedhor, me detyrimin të depolitizojë administratën. Po e pranoj që ky Kod Zgjedhor i intereson Partisë Socialiste edhe Partisë Demokratike. Atëherë, në këtë pikë duket shumë qartë sinqeriteti i Partisë Demokratike kur ta pranojmë të mirëqenë këtë që ne kemi interes që të jetë ky Kod Zgjedhor, por ama pranojmë si Partia Demokratike që Kodi Zgjedhor të ndryshojë. Dhe, me sa di unë, në biseda që kam me kolegë, pothuajse pjesa dërrmuese e kolegëve, deputetëve të Partisë Demokratike, është për ndryshimin e Kodit Zgjedhor për t’iu përgjigjur kërkesës së studentëve, edhe pse është në dëm të Partisë Demokratike. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
