Edi Rama e ka shitur mbledhjen dyditore të socialistëve në Pogradec si një moment reflektimi dhe “energji të reja” për qeverisjen dhe rrugën drejt “Shqipërisë 2030”. Në një postim në rrjetet sociale, kryeministri shkruan se “rritja cilësore e ndërveprimeve me njerëzit” do të jetë domethënëse pas kësaj maratone politike. Por komentet poshtë postimit i tregojnë një tjetër panoramë. Shumë prej ndjekësve e akuzojnë për shkëputje nga realiteti i përditshëm i shqiptarëve. “Mirë bëni me këto mbledhje, por mos i bëni në resorte turistike. Shkoni në shtëpitë e malsorëve të varfër, shkoni në shtëpitë e myzeqarëve zemërmirë, shkoni në fshatrat e braktisura, shkoni në shkollat e mbetura pa fëmijë”, shkruan një komentues. “Atje duhet të rinisë jeta, të lindë shpresa për ditë më të mira”, shton ai. Një tjetër i kujton kryeministrit se bëhet fjalë për mandatin e tretë në qeverisje: “Je në mandatin e tretë. Tani u kujtove ti pas 15 vitesh për ndërveprimet me njerëzit?” Kritikat shkojnë edhe te gjendja e infrastrukturës. “Nga Tushemishti a dole njëherë? Ta shikoje atë rrugën që hodhët miliarda lekë e se mbaruat kurrë”, shkruan një qytetar, duke shtuar se rrugët në shumë fshatra “janë si në mesjetë”. Edhe shëndetësia nuk i shpëton kritikave. “Kur fole për shëndetësinë pse nuk more shembull maternitetin e Pogradecit? I bukur shumë është, tamam si filmat horror”, shkruan një tjetër.
Ndërkohë, emigracioni dhe largimi i shqiptarëve nga vendi janë shqetësim i përsëritur në komentet e qytetarëve: “Çfarë do bëni për emigracionin që po zhduk shqiptarët nga trojet e tyre apo këtë plan keni?”
Komentet më të ashpra lidhen me mënyrën e qeverisjes dhe stafin e kryeministrit. “Çfarë stafi??? Të lumtë ku i ke gjetur? Sidomos Ballukun! I ke gjetur me inteligjencën artificiale apo me inteligjencën tënde?”, shkruan një komentues, ndërsa një tjetër i drejtohet Ramës: “Hiq dorë nga shteti… tani u kujtove pas 15 vitesh? Ke marrë fund!”
Ndërsa Rama flet për “Besën” dhe një “sezon politik me energji të reja”, një komentues ia kthen: “Mbajeni pra atë besë… se këto 15 vjet nuk latë fis, miq pa filluar e rregulluar, e punësuar… punoni veç njëherë për hallexhinjtë dhe vendorët e ndershëm.”
Ka edhe nga ata që e pyesin kryeministrin për çështje konkrete të ekonomisë. “Naftën do e ulësh?”, shkruan një qytetar.
Në një tjetër koment, ironia është edhe më e drejtpërdrejtë: “Paska nxjerrë sulltani fuqishëm grupin e patronazhistëve sot për këtë postim”.
Mesazhi i komentuesve është i qartë: Pas 3 mandatesh në qeverisje, është vonë për ndërveprim me njerëzit. Por nëse qeveria kërkon të dijë realisht se çfarë mendojnë shqiptarët, duhet të dalë nga resortet dhe sallat e mbledhjeve dhe të shkojë aty ku janë hallet e tyre.
222
333
444
555
666
777
Rama Ne Pg © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

