Lajme Zone
PolitikëBalkanWeb

“Rama po transferon para të pista drejt vendeve të Gjirit”, Almer Toska: Ai është foleja e korrupsionit, bizneset e vogla do të rrisin çmimet pas paketës fiskale


Gazetari Almer Toska, i ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, ka bërë akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke komentuar protestat studentore, refuzimin e dialogut nga të rinjtë dhe paketën fiskale të prezantuar për vitin 2027.

Gazetari Almer Toska, i ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, ka bërë akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke komentuar protestat studentore, refuzimin e dialogut nga të rinjtë dhe paketën fiskale të prezantuar për vitin 2027. Toska u shpreh se kryeministri po shmang përballjen me protestuesit dhe nuk po dëgjon kërkesat e të rinjve. Sipas tij, Rama po ofron njëkohësisht dialog dhe masa ndëshkuese, ndërsa e ftoi publikisht në një debat për t’u përballur me pretendimet dhe faktet që gazetari thotë se disponon. “Ditët e fundit e kam parë kryeministrin Edi Rama shumë të rënduar psikologjikisht dhe mendoj se nuk ka asnjë kontakt me realitetin. Mhet ta shohë zyrën e tij si kështjellë, ku i shmanget betejës dhe protestuesve. Një kryeministër që nuk dëgjon rininë e tij dhe nuk reflekton, nuk mund të ketë dialog me të. Ai ofron edhe dialog, edhe kërbaç”, u shpreh Toska. Gazetari deklaroi se, nëse Rama kërkon dialog me studentët dhe ata nuk i përgjigjen ftesës, ai është i gatshëm të përballet vetë me kryeministrin në një debat publik. “Nëse Rama fton për dialog dhe ata nuk i përgjigjen, unë e ftoj në debat. Nuk kam ambicie politike. Le të vijë këtu dhe unë t’i nxjerr faktet. E ftoj të përballet me faktet”, deklaroi ai. Gjatë intervistës, Toska ngriti edhe akuza për korrupsion dhe transferim të pretenduar të parave drejt vendeve të Gjirit. Ai përmendi gjithashtu presidentin serb Aleksandër Vuçiç, duke pretenduar se, sipas informacioneve që i kishin ardhur nga burime në Serbi, gjatë muajve maj-qershor kishte pasur transferta parash drejt Rusisë. Sipas gazetarit, një skemë e ngjashme po ndiqet edhe nga Rama, i cili, pretendoi ai, po transferon para të paligjshme drejt vendeve të Gjirit.

“Këtë e kam të dhënë. Të kisha dokument, e nxirrja. E kam nga burime shumë serioze”, tha Toska, pa paraqitur gjatë deklaratës dokumente që të vërtetojnë këto pretendime.

Ai akuzoi kryeministrin dhe anëtarë të qeverisë për përgjegjësi në korrupsionin që, sipas tij, po dëmton financat publike dhe qytetarët shqiptarë. Toska pretendoi se miliarda euro i mungojnë buxhetit të shtetit dhe se këto para duhej të përdoreshin për qytetarët që jetojnë në vështirësi ekonomike.

“Ky është kryeministri i vendit. Lejon Ballukun të livadhisë me paratë e shtetit. Ka ndërgjegjen e plotë që vidhet çdo ditë dhe nuk thotë gjë. Ky është kryeministri i Shqipërisë që, me një pjesë të tortës së pushtetit, ka qerasur edhe një pjesë të opozitës”, u shpreh gazetari.

Toska e cilësoi Ramën si drejtues të një pushteti të korruptuar, duke e lidhur këtë akuzë edhe me mënyrën se si qeveria po ndërhyn në sistemin e taksave.

Një pjesë gazetari ia kushtoi paketës fiskale të prezantuar nga kryeministri për vitin 2027. Sipas Toskës, ndryshimet e paralajmëruara mund të rëndojnë bizneset e vogla dhe të ndikojnë negativisht në klimën e investimeve në Shqipëri.

Ai kundërshtoi ndryshimet që lidhen me pragun e TVSH-së, duke argumentuar se përfshirja e më shumë bizneseve të vogla në skemën e tatimit mbi vlerën e shtuar do të shtojë kostot e tyre dhe mund t’i çojë disa prej tyre drejt vështirësive financiare.

“Me paketën fiskale që ka prezantuar, për 138 mijë biznese të vogla ka ulur barrën fiskale dhe i ka përfshirë në TVSH. Pra, çdo biznes i vogël që punëson njerëz, ky po i çon në prag falimentimi, sepse këta do të paguajnë TVSH”, deklaroi Toska.

Ai ngriti pyetjen se përse një minimarket lagjeje duhet të përfshihet në skemën e TVSH-së, duke theksuar se bizneset e vogla janë burim i rëndësishëm punësimi dhe të ardhurash për shumë familje shqiptare.

Sipas gazetarit, ndryshimet në taksim mund të ndikojnë edhe te bizneset e mëdha, të cilat mund të hezitojnë të investojnë në Shqipëri nëse e konsiderojnë barrën fiskale tepër të lartë.

“Klima e biznesit në Shqipëri rëndohet. Edhe biznesi i madh, kur e sheh paketën e taksave me taksa të rënduara, nuk investon këtu. Ky, njëkohësisht, po dëmton biznesin e vogël dhe po tremb investitorët potencialë në Shqipëri”, u shpreh ai.

Toska kundërshtoi gjithashtu pritshmëritë për uljen e çmimeve të produkteve bazë pas ndryshimeve të njoftuara nga qeveria. Sipas tij, bizneset që do të përballen me detyrime të reja fiskale mund t’i reflektojnë kostot te konsumatorët, duke rritur çmimet.

“Nuk do të ketë ulje të çmimeve të shportës pas kësaj. Këta njerëz që do të paguajnë TVSH-në do t’i reflektojnë te çmimet, të cilat do të rriten. Të gjitha bizneset e vogla do të rrisin çmimet, sepse do të paguajnë taksat dhe gropën e korrupsionit që ka hapur Edi Rama”, deklaroi gazetari.

Në përfundim, Toska theksoi se, sipas tij, zgjidhja për përmirësimin e ekonomisë nuk qëndron te rëndimi i bizneseve, por te lufta kundër korrupsionit dhe administrimi më i mirë i financave publike.

“Ekonomia mbrohet duke ulur korrupsionin”, përfi ai. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb