Lajme Zone
“Rama po shpall diktaturën në Shqipëri” – Osman Stafa shpërthen në News24: Partia digjet, Shqipëria nuk duhet të digjet!
PolitikëBalkanWeb

“Rama po shpall diktaturën në Shqipëri” – Osman Stafa shpërthen në News24: Partia digjet, Shqipëria nuk duhet të digjet!

Gazetari Osman Stafa ka bërë një deklaratë të fortë në emisionin “News24 Fundjavë”, duke kritikuar ashpër kryeministrin Edi Rama për paketën e re ligjore kundër dhunës në protesta. Stafa e cilësoi nismën si një përpjekje për të kufizuar liritë e qytetarëve, ndërsa akuzoi qeverinë se po shmang përgjegjësinë për dhunën e raportuar ndaj studentëve dhe të rinjve.

Gazetari Osman Stafa ka bërë një deklaratë të fortë në emisionin “News24 Fundjavë”, duke kritikuar ashpër kryeministrin Edi Rama për paketën e re ligjore kundër dhunës në protesta. Stafa e cilësoi nismën si një përpjekje për të kufizuar liritë e qytetarëve, ndërsa akuzoi qeverinë se po shmang përgjegjësinë për dhunën e raportuar ndaj studentëve dhe të rinjve. Sipas gazetarit, paketa e re ligjore përbën një rrezik për demokracinë dhe duhet të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese. Ai ngriti shqetësimin se masat ndëshkuese po drejtohen ndaj protestuesve, ndërsa nuk po prezantohen masa të ngjashme për efektivët e policisë që dyshohen se kanë ushtruar dhunë. “Sot çfarë bën kryeministri? Shpall diktaturën. Paketa e re e ligjeve është shpallje e diktaturës së mirëfilltë në Shqipëri. Unë nuk e di se sa do të kenë këllqe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese për ta rrëzuar këtë paketë ligjore, sepse duhet të mbrojnë Republikën. Shqipëria është mbi Edi Ramën, mbi Sali Berishën, mbi çdo pushtetar, mbi çdo parti politike, sepse është Shqipëria, është kombi ynë, është e ardhmja jonë. Kryeministri nuk flet fare për dhunën që bën policia ndaj atyre njerëzve, ndaj atyre protestuesve. S’ka asnjë paketë ligjore për ata të cilët e bëjnë këtë gjë. Nuk ka asnjë paketë ligjore mbi ata të cilët dalin me maska, pa asnjë identitet, të cilët unë them janë banda që po mbrojnë pushtetin e korruptuar të Edi Ramës”, tha ai. Stafa u ndal edhe te përbërja e protestave, duke deklaruar se pjesëmarrja e lartë e të rinjve tregon shqetësimin e tyre për të ardhmen dhe mungesën e perspektivës në Shqipëri.

Ai kritikoi gjithashtu mënyrën e përdorimit të fondeve publike, duke përmendur shpenzimet për projekte të qeverisë dhe duke i krahasuar ato me vështirësitë që, sipas tij, përballojnë qytetarët në sistemin shëndetësor.

“Ku i çojnë këta? Emergjencë për këta nuk janë nënat që vuajnë nga kanceri dhe baballarët që janë në spitalin onkologjik. Është koncerti i Kanye West. Ne kemi Kopshtin Eden te Kryeministria.

Ai është emergjencë për kryeministrin, se nuk ka një vlerë Kopshti Eden për qytetarët shqiptarë. Zero! 4.3 milionë euro kryeministri i çon atje. Ne kemi satelitë që nuk na kanë shërbyer për asgjë.

Unë nuk kam parë një protestë gjatë gjithë karrierës sime si gazetar, që kam mbuluar, që të ketë një shumësi aq të madhe të të rinjve, sepse janë ata të kërcënuarit. Janë ata që po luftojnë për të ardhmen e tyre, ndoshta edhe për familjet e tyre.

Ty të kanë ikur më shumë se gjysma e të rinjve, apo edhe më shumë, jashtë Shqipërisë, se s’kanë më të ardhme. Kam unë gjithë kushërinjtë e mi të parë, nuk ka më njeri këtu. Në Itali, në Greqi, në Gjermani, në Angli, në Amerikë kanë ikur të gjithë”, tha Stafa.

Në një moment emocional të intervistës, gazetari u shpreh se situata nuk duhet të shihet më si përplasje mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, por si një çështje që lidhet me të ardhmen e vendit.

Stafa deklaroi se qytetarët duhet të vendosin interesin e Shqipërisë mbi përkatësitë partiake, ndërsa kritikoi klasën politike të 36 viteve të fundit.

“Nuk ka më çështje që lidhet me partitë politike në momentin që ndodhet Shqipëria. Nuk ka të bëjë më as me PS-në, as me PD-në. Mbaje partinë, mbaje në zemër Edi Ramën apo Sali Berishën, kë të duash ti.

Sot është momenti që ti të kesh në zemrën tënde vendin tënd, Shqipërinë, sepse partia digjet. Shqipëria nuk duhet të digjet!

Shqipëria do të mbijetojë dhe të gjithë duhet të jemi për këtë vend, duhet të mbështesim njëri-tjetrin.

Nuk është kjo një lëvizje apo një protestë e cila po kërkon pushtet. Po kërkon të largojë politikën 36-vjeçare.

Unë, përtej gazetarit, jam edhe njeri, kam edhe bindjet e mia, shikoj me sytë e mi çfarë po ndodh. Kam parë me sytë e mi çfarë ka ndodhur me njerëzit nëpër spitale, se është plaga më e madhe që vuajnë shqiptarët.

Qytetarët duhet ta kuptojnë këtë si një moment historik për të ardhmen e tyre”, tha ai.

Në përfundim, Stafa përsëriti kritikat ndaj Ramës, duke e akuzuar se po kërkon të forcojë pushtetin përmes masave kufizuese dhe se nuk ka përmbushur pritshmëritë e qytetarëve pas katër mandateve qeverisëse.

“Shqipëria do të shkojë në Europë me këtë apo pa këtë. Por ti nuk mundesh dot t’i vësh zjarrin vendit tënd, të largosh të rinjtë nga vendi yt, t’i kesh spitalet siç i ke dhe t’i thuash Shqipërisë se nuk do ta çojnë në Bashkimin Europian.

Ai do të mbetet vetëm në histori si njeriu i cili po shpall dhe po kërkon diktaturë në Shqipëri dhe që ka rrahur, ka masakruar studentët dhe gjimnazistët”, u shpreh ai. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb