Lajme Zone
Rama për median britanike: Nuk tërhiqemi nga investimi i Kushner!
PolitikëPamfleti

Rama për median britanike: Nuk tërhiqemi nga investimi i Kushner!

Ajo që nisi si një kundërshtim ndaj ndërhyrjeve në një zonë të mbrojtur është shndërruar në protesta të përditshme në Tiranë, ku aktivistët mjedisorë, banorët dhe qytetarët kërkojnë ndalimin e projekteve dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Edi Rama / Në një intervistë për televizionin britanik “Channel 4”, kryeministri Edi Rama mbron projektet turistike të Jared Kushnerit në Sazan dhe Zvërnec, pavarësisht protestave që zgjasin prej gati dy muajsh. Ai mohon se punimet kanë nisur zyrtarisht, por këmbëngul se investimi do të realizohet në përputhje me standardet europiane, ndërsa protestuesit vazhdojnë të kërkojnë dorëheqjen e tij. Plani disa miliardë dollarësh i Jared Kushner dhe Ivanka Trump për ndërtimin e resorteve luksoze në ishullin e Sazanit dhe në zonën e Zvërnecit ka kthyer Shqipërinë në qendër të një debati që tashmë ka kaluar kufijtë e vendit.

Ajo që nisi si një kundërshtim ndaj ndërhyrjeve në një zonë të mbrojtur është shndërruar në protesta të përditshme në Tiranë, ku aktivistët mjedisorë, banorët dhe qytetarët kërkojnë ndalimin e projekteve dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Në qendër të debatit është Laguna e Nartës, një nga ekosistemet më të rëndësishme në Mesdhe, ku mijëra flamingo dhe qindra specie të tjera shpendësh gjejnë strehë çdo vit. Protestuesit paralajmërojnë se ndërtimi i komplekseve turistike mund të dëmtojë në mënyrë të pakthyeshme këtë habitat të mbrojtur, ndërsa qeveria këmbëngul se investimet do të realizohen duke respektuar standardet europiane të mbrojtjes së mjedisit.

Pak kilometra më tej ndodhet ishulli i Sazanit, ish-bazë ushtarake dhe pronë shtetërore, i cili është parashikuar të kthehet në një destinacion ekskluziv turistik. Ivanka Trump ka treguar më herët se ideja për investimin lindi pasi vizitoi ishullin gjatë një udhëtimi me jaht, ndërsa projekti synon ta transformojë zonën në një resort luksoz.

Megjithatë, kundërshtimet nuk kufizohen vetëm te ndikimi në mjedis. Banorë të Zvërnecit pretendojnë se një pjesë e tokave u përkasin familjeve të tyre prej brezash, ndërsa SPAK ka ngritur akuza ndaj një prej personave të përfshirë në shitjen e pronave për falsifikim dokumentesh dhe pastrim parash. Çështja e pronësisë është ende objekt hetimi.

Tensionet u përshkallëzuan në fund të majit, kur në plazh u vendos një gardh, u sollën makineri të rënda dhe nisën punime paraprake. Pamjet e përplasjes mes rojeve private dhe protestuesve u përhapën me shpejtësi, duke nxitur demonstrata të përnatshme në kryeqytet. Gardhi u hoq pak ditë më vonë, por kundërshtarët e projektit thonë se kjo nuk ndryshon thelbin e problemit.

Aktivistët mjedisorë pretendojnë se ndërhyrjet kanë prekur dunat ranore ku folezojnë breshkat detare Caretta caretta dhe se zona përfshin mbi 2.000 specie bimore e shtazore, si edhe 18 habitate me rëndësi europiane. Sipas tyre, zhvillimi turistik në këtë shkallë rrezikon një nga pasuritë më të mëdha natyrore të Shqipërisë.

Nga ana tjetër, kompania e Jared Kushner ka deklaruar se synon të krijojë një destinacion turistik të klasit botëror, të projektuar me standarde të larta arkitekturore dhe me fokus te ruajtja e natyrës. Sipas saj, projekti do të zhvillohet vetëm në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe vlerësimet mjedisore.

Ndërsa protestat hyjnë në muajin e dytë, debati nuk kufizohet më vetëm te Sazani apo Zvërneci. Për shumë qytetarë ai është kthyer në një simbol të mënyrës se si merren vendimet për investimet strategjike, përdorimin e pronës publike dhe mbrojtjen e pasurive natyrore të vendit. Pikërisht në këtë klimë të tensionuar, kryeministri Edi Rama dha një intervistë për televizionin britanik Channel 4, ku u përball me pyetje të drejtpërdrejta mbi projektin, protestat dhe akuzat e ngritura nga kundërshtarët e investimit.

Gazetari: Së pari, faleminderit që na pranuat. Protestat kanë mbushur gati 60 ditë tani. Si ndiheni kur keni protestues jashtë zyrës suaj natë pas nate?

Edi Rama: E mrekullueshme për vendin dhe për shoqërinë. Sepse në të njëjtin bulevard jo shumë kohë më parë, rreth 15 vjet më parë, njerëzit vriteshin me plumba të vërtetë ndërsa protestonin paqësisht.

Kam reflektuar shumë mbi këtë protestë dhe kam arritur të kuptoj se për njerëzit - dhe me të drejtë - kjo nuk ka të bëjë me faktet; janë pritshmëritë më të larta ato që i nxjerrin njerëzit në rrugë. Kjo nuk është një gjë e keqe, është e mrekullueshme, prandaj thashë fantastike. Kështu që unë i kuptoj ata.

Gazetari: Dhe a keni rimenduar ndonjë nga politikat tuaja për shkak të këtyre protestave?

Edi Rama: Cilat politika?

Gazetari: Politikat për projektet në Sazan dhe Zvërnec, nga ku filloi e gjitha me rrezikimin e habitatit të flamingove dhe ekosistemeve të tjera atje.

Edi Rama: Jo, s’ka nisur asnjë projekt.

Gazetari: Unë i kam parë punimet...

Edi Rama: Jo.

Gazetari: Çfarë kam parë atëherë? A nuk duhet t’u besoj syve të mi?

Edi Rama: Unë do t’ju tregoj saktësisht se çfarë keni parë, por nuk ka nisur asnjë projekt. Dhe për të filluar me Sazanin, të cilin e përfshitë në pyetje, në Sazan s’ka asnjë projekt dhe asnjë marrëveshje. Përfshirja e Sazanit në këtë diskutim është krejtësisht e panevojshme sepse nuk kemi asgjë konkrete atje ende.

Gazetari: Por zoti Kushner dhe zonja Trump i lidhën të dyja projektet së bashku, apo jo? Ata u shprehën se janë të lidhura.

Edi Rama: Po, ideja e investimit është e lidhur.

Gazetari: Atëherë, më tregoni si qëndron e vërteta atëherë, sepse unë shkova vetë në Zvërnec dhe pashë vendin ku projekti kishte filluar dhe...

Edi Rama: Jo, projekti nuk ka filluar në Zvërnec.

Gazetari: Atëherë çfarë ishin ato gardhe dhe makineri që pashë?

Edi Rama: Po jua shpjegoj unë. Nuk është fillimi i projektit, janë thjesht përshtatjet për të kryer punët paraprake përpara se të lëshohet leja zyrtare, e cila do të bazohet në vlerësimin mjedisor, gjeologjik dhe hidrologjik.

Gazetari: Por normalisht, vlerësimi mjedisor bëhet përpara se të sillen buldozerët, sepse ata mund ta dëmtojnë mjedisin. Rregulli e kërkon që fillimisht të shkojnë shkencëtarët për të parë terrenin.

Edi Rama: Buldozerët atje janë përdorur për të hapur një rrugë kalimi për komunitetin përmes pronës private, në mënyrë që njerëzit të mos bllokoheshin dhe të lëviznin lirisht para dhe mbrapa.

Gazetari: Por ata po lëviznin lirisht në atë rrugë me rërë gjithsesi. Pra, nuk ishin të bllokuar më parë, por u bllokuan pikërisht pasi u vendos gardhi.

Edi Rama: Përsëri, tani nëse doni faktet, unë po ju tregoj faktet ashtu siç janë.

Gazetari: Zoti Kushner ka deklaruar se ju ishit në jaht me ta kur e “zbuluan” ishullin në vitin 2020.

Edi Rama: Isha i ftuar t’i bashkohesha disa njerëzve në një jaht që ndaloi në Shqipëri për t'u furnizuar me karburant gjatë udhëtimit për në Mal të Zi.

Gazetari: Bëhet fjalë për jahtin e Nat Rothschild-it, apo jo?

Edi Rama: Po. Isha i ftuar, shkova dhe u takova me Jared-in dhe Ivanka-n. Nuk e di nëse kishin dëgjuar ndonjëherë më parë për Shqipërinë, por ju garantoj që në atë kohë nuk kishin asnjë interes të drejtpërdrejtë investimi. Ishin thjesht shumë të interesuar për historinë e vendit dhe për zonën ku ndodheshim, kjo është e para.

E dyta, kur kjo ndodhi dhe kur disa muaj më vonë u takuam në Davos, Jared-i shprehu interesin e tij dhe tha se do të dëshironte të eksploronte mundësitë për të investuar. Natyrisht që unë thashë po. Si mund të thosha jo? Thashë po. Është gjëja më normale në botë.

Ky do të jetë një nga projektet më të jashtëzakonshme që do t'i ndodhë Europës prej shumë kohësh, duke qenë se nuk është se kanë ndodhur shumë gjëra të jashtëzakonshme këtu rrotull kohët e fundit.

Gazetari: Pse mendoni se është kaq i jashtëzakonshëm?

Edi Rama: Sepse nuk do të jetë aspak ashtu siç e imagjinojnë njerëzit, krejt gabimisht. Sepse...

Gazetari: Po si do të jetë?

Edi Rama: Nuk do të jetë ajo që ju imagjinoni gabimisht.

Gazetari: Unë nuk po imagjinoj asgjë. Thjesht u bazohem planeve që Jared Kushner postoi në Instagram, ndonëse e kuptoj që ato nuk janë planet përfundimtare.

Edi Rama: Ajo që u publikua në Instagram ishte thjesht një ngacmim vizual. Procesi ka evoluar shumë. Tani janë përfshirë arkitektët dhe dizajnerët më të lartë të peizazhit në botë, të cilët janë të famshëm pikërisht për punën e tyre me ligatinat. Paralelisht, ne po kryejmë vlerësimet e ndikimit në mjedis plotësisht të pavarur prej tyre. Ky projekt nuk synon të dëmtojë një një vend të bukur, por ta rigjenerojë atë.

Gazetari: Komisioni Europian ka shprehur shqetësime serioze. Anëtarësimi i Shqipërisë në BE është jetik për ju, por Komisioni është i shqetësuar për ligjet e mjedisit dhe veçanërisht për ndryshimin ligjor të vitit 2024, i cili krijon një hapësirë tolerimi për investimet strategjike. A mendoni se duhet ta rishikoni këtë pikë?

Edi Rama: Është shumë pozitve që Komisioni është i shqetësuar. S’mund të ndodhte ndryshe. Por mos harroni se ne po negociojmë pikërisht për t’u anëtarësuar në BE. Ideja se ne mund të çojmë përpara një projekt që nuk përshtatet me standardet europiane është thjesht absurde. Prandaj po ju them: qetësohuni, bazohuni mbi faktet, komentoni faktet dhe shikoni realitetin. Mos u nxitoni duke përhapur panik se gjoja çdo gjë po shkon drejt katastrofës.

Gazetari: Dukeni sikur jeni prekur personalisht nga këto akuza...

Edi Rama: Jo, aspak. Nuk jam i lënduar. Dua të them...

Gazetari: Por megjithatë duket se po e merrni mjaft personalisht...

Edi Rama: Dëgjoni, çdo gjë në këtë jetë është personale. Kushdo që e bën punën e vet me pasion ka një lidhje personale me të. Por jo, nuk jam i lënduar. Përkundrazi, kjo situatë më ka ndihmuar.

Siç ju thashë, kjo protestë - ajo e qershorit, jo kjo aktualja - ka qenë konfirmimi që vendi ka kaluar në një nivel tjetër emancipimi dhe, nga ana tjetër, shërben si një pasqyrë shumë e qartë për të parë se ku duhet të reflektojmë./Në shqip: Pamfletirama për median britanike investimi i kushner Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Politike Arrestimi i Ermal Beqirit “Kutia e Pandorës” së AKSHI-t, përgjegjësia shkon te Rama 29 Korrik 2026, 11:0611:06Politike "Rama frikë nga zgjedhjet e parakohshme", Alibeaj: Protesta do sjellë alternativë elektorale 28 Korrik 2026, 22:0222:02Politike A është dashuria për paranë rrënja e politikës? 28 Korrik 2026, 17:3217:32Politike Tabaku pas raportit të DASH: Korrupsioni dhe pasiguria po frenojnë investimet 28 Korrik 2026, 14:5714:57Politike “Dje u dhunuan nëna me fëmijë”, Berisha: Rama i plagosur politikisht, t’i japim shtyrjen e fundit 28 Korrik 2026, 13:4413:44Politike Bardhi akuza qeverisë: Po fsheh marrëveshjen me SHBA dhe po shkel Kushtetutën 28 Korrik 2026, 12:5912:59Politike