Deputetja e Partisë Demokratike dhe kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Median, Jorida Tabaku, ka ngritur akuza të forta ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama për mënyrën se si janë trajtuar protestat studentore në vend. Në një intervistë për News24, Tabaku deklaroi se ka kërkuar që ministri i Brendshëm të paraqitet në komision për të raportuar mbi dhunën e pretenduar ndaj protestuesve, arrestimet e të miturve dhe sulmet ndaj gazetarëve. Sipas saj, gjatë protestave janë shoqëruar apo arrestuar rreth 1 mijë persona, mes të cilëve 250 të mitur, ndërsa 47 gazetarë janë dhunuar, kërcënuar apo intimiduar në 43 raste që ajo ia atribuon policisë. “Parlamenti nuk mund të sillet sikur nuk ka ndodhur asgjë. Ne nuk ekzistojmë në parlament vetëm për të miratuar ligje rutinë. Situata me median është ajo që është. 47 gazetarë janë dhunuar, intimiduar dhe kërcënuar gjatë protestave, në 43 raste nga policia. News24 ka qenë një nga televizionet që ka qëndruar në shesh 12 deri në 14 orë në ditë dhe vetëm pse ka transmetuar zërin e protestës është kërcënuar”, u shpreh Tabaku. Deputetja demokrate tregoi se ka vizituar komisariate, ambiente paraburgimi dhe spitale për të verifikuar nga afër trajtimin e personave të ndaluar gjatë protestave. “Kam parë të mitur të arrestuar, kam parë dhunën dhe tërheqjet zvarrë. Janë pothuajse 1 mijë të shoqëruar dhe të arrestuar deri më sot, 250 prej tyre janë të mitur. Kam takuar prindër që për dy apo tre ditë nuk e kanë ditur ku ndodheshin fëmijët e tyre. Kjo është shkelje e të drejtave të njeriut”, deklaroi ajo.
Tabaku theksoi se gjetjet e saj ua ka përcjellë organizatave ndërkombëtare, ndërsa ka qenë në kontakt edhe me organizatën Reporterët pa Kufij për situatën e medias gjatë protestave.
Duke komentuar paketën e re të masave për tubimet, Tabaku e cilësoi atë si një përpjekje për të frikësuar qytetarët dhe për të kufizuar të drejtën kushtetuese të protestës.
“Në mëngjes kërkojnë dialog, pasdite i rrahin dhe në darkë sjellin ndryshimet e paketës për tubimet. Këto masa shtrënguese cenojnë të drejtat themelore të njohura në Kushtetutë. Sapo të vijnë në parlament, do të shkojnë në Gjykatën Kushtetuese”, paralajmëroi ajo.
Një tjetër kritikë e fortë e Tabakut ishte për procesin e integrimit europian, për të cilin tha se nuk po sjell ndryshimet që presin qytetarët shqiptarë.
“Sot zhvillimin e Shqipërisë e pengon pikërisht Edi Rama. Ata njerëz në rrugë janë për dorëheqjen e tij, sepse lufta ndaj korrupsionit, ndaj krimit të organizuar dhe zbatimi i parimeve europiane janë shumë larg realitetit. Këtu po shkojmë drejt një autokracie. Ka përqendrim pushteti, sulmohet media, nuk lejohet tubimi dhe cenohen të drejtat e njeriut”, tha Tabaku.
Ajo kritikoi gjithashtu funksionimin e parlamentit, duke deklaruar se institucioni nuk përfaqëson më kërkesat e qytetarëve dhe se sistemi aktual zgjedhor penalizon përfaqësimin.
“Ka një kërkesë të shoqërisë për ndryshime në politikë dhe në sistemin politik. Parlamenti sot nuk reflekton atë që qytetarët kërkojnë. Studentët janë në protestë edhe për ndryshimin e sistemit politik dhe të përfaqësimit”, u shpreh deputetja.
E pyetur për zhvillimet politike në Serbi dhe ndryshimin e pushtetit pas protestave studentore, Tabaku tha se mesazhi kryesor për Shqipërinë është nevoja për bashkim dhe reflektim politik.
“Ne duhet patjetër të bashkohemi. Nuk ka asnjë zgjidhje tjetër me sistemin aktual dhe dinamikën aktuale. Edhe për Partinë Demokratike është një mesazh reflektimi për ofertën tonë politike, për alternativën që duhet të japim dhe për të qenë pranë zërit të atyre që sot protestojnë”, deklaroi ajo.
Në përfundim, Tabaku theksoi se do të vijojë të kërkojë transparencë dhe llogaridhënie nga institucionet, duke këmbëngulur se ministri i Brendshëm ka detyrimin të raportojë në Kuvend për ngjarjet e dy javëve të fundit.
“Ai e ka për detyrë të vijë të raportojë, ashtu siç kanë për detyrë të dëgjojnë zërin e qytetarëve që sot kërkojnë një qeveri teknike dhe zgjedhje të lira e të ndershme. Deri në ditën e fundit do të jem aty, bashkë me kolegët e mi, për të bërë detyrën tonë si përfaqësues të zgjedhur”, përfi Tabaku. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
