Edi Rama ka zgjedhur një intervistë maratonë me 300 pyetje për të dhënë versionin e tij mbi disa prej çështjeve që kanë vendosur prej kohësh qeverinë dhe marrëdhënien e saj me drejtësinë në qendër të debatit publik.
Përballë gazetares Rudina Xhunga, në kuadër të podcastit “Flasim”, kryeministri foli për ish-zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj, zv.kryeministren Belinda Balluku, biznesmenin Ergys Agasi, kryebashkiakun Erion Veliaj, protestat dhe marrëdhënien e qeverisë me drejtësinë.
Nga njëra anë, Rama deklaron se SPAK është ndër zhvillimet më të rëndësishme që i kanë ndodhur Shqipërisë në 35 vite. Nga ana tjetër, kur hetimet dhe vendimet e drejtësisë prekin figura pranë pushtetit, kryeministri nuk kursen kritikat dhe e vendos sistemin përballë akuzave të rënda.
Në rastin e Ballukut shkon edhe më tej, duke thënë se është cenuar Kushtetuta dhe se drejtësia ka tentuar të marrë kompetencat e institucioneve politike. Edi Rama dhe ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj Arben Ahmetaj, nga njeriu i besuar te “maska e karnavaleve”
Një prej emrave për të cilët Rama u ndal gjatë intervistës ishte Arben Ahmetaj. Kryeministri u pyet nëse kishte pasur dijeni për problemet e mundshme të personave të rëndësishëm që kishte pasur pranë vetes dhe nëse akuzat ndaj tyre duhet të kishin qenë një arsye për largimin nga detyra.
Rama nuk pranoi që një akuzë, në vetvete, të shërbejë si bazë për të larguar një zyrtar. Ai e ndërtoi përgjigjen mbi përvojën e tij personale, duke argumentuar se edhe vetë është akuzuar dhe se kjo nuk do të thotë automatikisht se akuzat janë të vërteta.
“Po të nisem unë nga akuzat dhe t’i përdor ato si argument për të mos e vendosur apo hequr dikë nga detyra, do të shkarkoja veten time çdo mëngjes ose çdo darkë. Sepse ja, jam akuzuar unë, ja, nuk është akuzuar njeri në këtë vend. Dhe kjo, duke e ditur shumë mirë veten, se veten e di mirë, më ka bërë të besoj se dhe të tjerët akuzohen padrejtësisht”, tha Rama.
Por në rastin e Ahmetajt, kryeministri pranoi se më vonë u përball me një realitet tjetër. Ai përdori një metaforë të fortë për të përshkruar atë që, sipas tij, kishte qenë besimi i gabuar te ish-bashkëpunëtori i tij.
“Por koha tregoi që, në rastin që ju përmendët, unë kisha investuar në një maskë karnavalesh, jo në ndonjë aset publik për t’u besuar. Kështu i bie. Se në qoftë se pastaj del se burimi njerëzor ku ke investuar është i ndotur, apo njeri që ke parë ka qenë një maskë karnavalesh, është e dhimbshme, por është fakt”, deklaroi Rama.
Në këtë mënyrë, Rama e përshkroi raportin me Ahmetajn si një investim politik e njerëzor që, sipas tij, rezultoi i gabuar, duke ia lënë kohës dhe zhvillimeve të mëvonshme përgjegjësinë për të treguar se çfarë kishte ndodhur. Belinda Balluku dhe Rama Balluku, mbrojtja e Ramës dhe sulmi ndaj vendimit të drejtësisë
Ndryshe është qasja e kryeministrit ndaj Belinda Ballukut. Në rastin e zv.kryeministres, Rama nuk u mjaftua me mbrojtjen politike të saj, por vuri në pikëpyetje vetë mënyrën se si drejtësia kishte vepruar.
I pyetur nëse një ministër nën hetim duhet të mbajë përgjegjësi politike dhe të largohet nga detyra, Rama e kundërshtoi këtë logjikë kur fjala erdhi te Balluku.
“Në rastin e Belinda Ballukut u gatua shumë keq një gjë tjetër që nuk kishte lidhje me Belinda Ballukun. U përdor në masë absurde, e pa ndodhur në historinë e botës, pezullimi i një ministri në detyrë”, deklaroi Rama.
Kryeministri e interpretoi pezullimin si një tejkalim të kompetencave të drejtësisë dhe si një ndërhyrje në funksionimin e pushteteve.
“Prokurori bashkë me një gjykatës u bashkuan bashkë në një dhomë dhe vendosën të bëjnë kryeministrin, parlamentin, presidentin. Unë këtë nuk e pranoj. U sfidua Kushtetuta e Shqipërisë dhe u sfidua një pushtet i pavarur”, tha Rama.
Kështu, në një prej pjesëve më të forta të intervistës, Rama e vendosi veten në pozicionin e mbrojtësit të ndarjes së pushteteve, ndërsa akuzoi një prokuror dhe një gjykatës se kishin marrë kompetenca që nuk u takojnë. Në foto: Edi Rama dhe Ergys Agasi, në një takim Ergys Agasi, Rama: Afërsia me mua nuk është funksion publik
Edhe marrëdhëniet me biznesmenin Ergys Agasi u bënë pjesë e intervistës. Rama tentoi të vendoste një vijë të qartë mes marrëdhënieve personale dhe ushtrimit të pushtetit, duke mohuar se dikush që ka afërsi me të mund të konsiderohet automatikisht përfaqësues i tij.
Sipas kryeministrit, fakti që një person ka pasur një marrëdhënie me të nuk i jep atij të drejtën të flasë apo të veprojë në emër të shtetit.
“Tani mua më kanë bërë shumë afërsira ose shumë rrëfenja me afërsitë. Afërsia me mua e një njeriu apo e një njeriu tjetër, nuk është funksion publik. As fotografia, as raportet personale dhe as pretendimi që unë e kam me atë, unë flas në emër të atij, etj. Unë nuk autorizuar ndonjëherë ndonjë njeri që të flasë në emrin tim apo të bëjë punët e shtetit në emrin tim.
Patjetër që mua më vjen keq që gjendem në situatën kur një njeri që unë kam pasur një marrëdhënie njerëzore për një arsye apo një tjetër, ekspozohet si një njeri që ka probleme me ligjin. Por nga ana tjetër jam tërësisht i çliruar sepse përtej keqardhjes, secili atje është përballë ligjit me veten dhe avokatin e vet. Në emrin tim kush nuk flet. T’i hysh kësaj që pse fole në emrin tim, i bie pastaj që të mos bësh asnjë punë tjetër. Të gjithë duhet ta dinë që në emrin tim unë flas vet”, tha Edi Rama.
Me pak fjalë, kryeministri pranon marrëdhëniet njerëzore, por mohon çdo përgjegjësi që mund të lindë nga përdorimi i emrit të tij prej personave të tjerë. Protesta qytetare në Tiranë Protestat, Rama pranon: Nuk e prisja
Një tjetër pjesë e intervistës ishte ajo që lidhet me protestat dhe ndryshimin e pritshmërive të qytetarëve.
Rama pranoi se shoqëria shqiptare nuk është më në fazën ku qeveria mund të justifikojë rezultatet duke iu referuar vetëm së kaluarës apo vendeve ku gjërat janë më keq.
Sipas tij, qytetarët tashmë kërkojnë standarde më të larta dhe nuk kënaqen me atë që dikur mund të konsiderohej progres.
“Teoria e dikurshme e kohës kur ne morëm detyrën, “se ka dhe më keq, shyqyr mirë jemi, se ka dhe më keq”, i ka lënë vendin teorisë “ka dhe më mirë, pikë, mbaroj, mos më thuaj çfarë ke bërë. Okej, tani ke kaq vjet, këtu më thuaj pse nuk janë bërë këto”. Në këtë sens, është një çështje pritshmërish“, tha ai.
Rama pranoi gjithashtu se reagimi qytetar nuk ishte diçka që e kishte parashikuar dhe se iu desh kohë për të kuptuar se çfarë po ndodhte.
“Nuk e prisja. Nuk e kuptova menjëherë. M’u desh të filloj të ndjek shenjat, të analizoj dhe ka pasur disa momente që më kanë ndihmuar shumë për ta kuptuar deri në fund. Dhe kam kuptuar që jemi në këtë fazë. Është diçka shumë e mirë, sepse është një ndryshim zyrtar ose i vulosur nga njerëzit, i stinës së Shqipërisë. Por është diçka shumë sfiduese, sepse padurimi është i madh”, tha Rama.
Kjo është një nga pranimet më domethënëse të intervistës: kryeministri vetë thotë se nuk e kishte kuptuar menjëherë shkallën e pakënaqësisë dhe se protestat e detyruan të lexonte ndryshe sinjalet që vinin nga shoqëria. Rama dhe Veliaj Erion Veliaj, “eksperiment social” dhe “absurd” sipas Ramës
Për kryebashkiakun Erion Veliaj, Rama mbajti një qëndrim dukshëm më të prerë.
Ai e konsideroi të papranueshme situatën ku kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Tiranës ndodhet në paraburgim, ndërsa njëkohësisht, sipas Ramës, nuk ekziston mundësia që posti të zëvendësohet për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Rama e cilësoi situatën e kryeqytetit si një rast absurd dhe solli në vëmendje dy raste të tjera që, sipas tij, janë trajtuar nga Gjykata e Strasburgut.
“Tirana është një shembull absurd. Ka 2 raste të ngjashme, njëri rast në Hungari dhe njëri në Turqi. Strasburgu i ka rrëzuar të dyja rastet si shkelje të të drejtave të njeriut. Që kryetari i zgjedhur i kryeqytetit të rrijë i mbyllur në paraburgim dhe t’i të mos kesh asnjë mundësi të bësh zëvendësim, sepse Kushtetuesja tha ‘është në detyrë’, ky është një absurd. Kryeqyteti po e vuan mungesën e drejtimit. Unë e shoh në raportet me bashkinë sesa e pamundur është. Deputetët e Tiranës janë të frustruar në kulm. Unë s’jam dakord me Braçen sepse je në shumicë qeverisëse, por nga ana tjetër është se ato probleme që ngre janë probleme që lidhen me bashkinë. Bashkia nuk ka kokë. Është një eksperiment social politik e ekonomik ky që një kryeqytet të drejtohet pa kokë. Por mendoj se SPAK është një nga gjërat më të mira që i ka ndodhur Shqipërisë në këto 35 vite”, tha mes të tjerash Rama.
Në këtë pjesë të intervistës shfaqet edhe një tjetër kontrast i fortë në qëndrimin e kryeministrit. Rama e quan situatën e Veliajt një absurditet dhe kritikon efektet që ajo ka sjellë në drejtimin e Tiranës, ndërsa në të njëjtën deklaratë e cilëson SPAK-un si një prej zhvillimeve më pozitive të Shqipërisë në dekadat e fundit.
300 pyetje dhe një linjë e qartë: mbrojtje politike, përplasje me drejtësinë
Intervista e gjatë e Ramës me 300 pyetje e vendos sërish në qendër një prej përplasjeve më të forta të mandatit të tij: marrëdhënien mes pushtetit politik dhe drejtësisë.
Kryeministri mbron Ballukun, vë në pikëpyetje pezullimin e saj, kritikon situatën e Veliajt, ndërsa për Ahmetajn pranon se besimi i tij rezultoi i gabuar. Për Agasin, distancohet nga çdo pretendim se një person i afërt me të mund të flasë në emër të tij.
Në të njëjtën kohë, Rama pranon se protestat dhe rritja e pritshmërive të qytetarëve përbëjnë një sfidë të re për qeverinë.
Por mesazhi më i fortë i intervistës mbetet pikërisht ky kontrast: kryeministri e quan SPAK-un një nga gjërat më të mira që i kanë ndodhur Shqipërisë, por kur drejtësia prek njerëzit e tij politikë, ai flet për absurd, shkelje të Kushtetutës dhe për një drejtësi që po merr kompetencat e pushtetit./ Politiko.al Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm

