Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Territorit është miratuar leja e parë në kuadër të Paketës së Maleve, për familjen Hasani nga Thethi. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Rama bëri të ditur se familja Hasani ka vendosur të investojë kursimet e saj në tokën e të parëve dhe të rikthehet për të jetuar e investuar në Shqipëri. “Sot u miratua në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Territorit leja e parë e Paketës së Maleve, për familjen Hasani nga Thethi, e cila ka vendosur të investojë kursimet e veta në tokën e të parëve në vendlindje dhe të kthehet në Shqipëri”, shkroi kryeministri. Sipas Ramës, Paketa e Maleve u jep mundësi trashëgimtarëve që, tashmë të mbështetur edhe me ligj, të rikonstruktojnë shtëpitë e vjetra të të parëve ose të zhvillojnë aktivitete ekonomike si agroturizëm, prodhim bujqësor e blegtoral, si dhe agropërpunim në pronat e trashëguara.
