Kryeministri Edi Rama ka vijuar kritikat ndaj kërkesës së gjyqtarëve për rritjen e pagave, duke publikuar shifra që, sipas tij, tregojnë diferencën mes pagave të magjistratëve në Shqipëri dhe atyre në administratën shtetërore apo vendet e rajonit. Konkretisht kryeministri argumenton se paga mesatare e gjyqtarëve në Shqipëri është aktualisht 280% më e lartë se paga mesatare në administratën shtetërore, ndërsa sipas tij është 60% më e lartë se paga mesatare e kolegëve në Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Ai shton se pagat e gjyqtarëve shqiptarë janë gjithashtu më të larta se ato në Kroaci, Bullgari dhe Serbi. “Sot paga mesatare e gjyqtarëve në Shqipëri është 280% më e lartë se paga mesatare e administratës shtetërore; 60% më e lartë se paga mesatare e kolegëve magjistratë në Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut; më e lartë se në Kroaci, Bullgari apo Serbi… Me rritjen e kërkuar me llogarinë vetë Zot vetë Shkop, paga mesatare e gjyqtarëve bëhet më e lartë se në Greqi, Rumani e Slloveni dhe 140% më e lartë se në Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa në raport me administratën shqiptare ajo kërcen në 470% më lart… Dhe nëse në të tëra vendet e tjera të rajonit, Europës dhe botës demokratike maja e piramidës së pagave në shtet është Presidenti, paga mesatare e rritur në rrugën jashtë parlamentit bëhet 1,000 euro më e lartë se paga e Presidentit dhe 2,200 euro më e lartë se paga e ministrit. Kjo për mesataren e gjithë trupës, se po të marrësh nivelin më të lartë të pagës në sistemin gjyqësor sot, ajo aktualisht është gati 2000 Euro më shumë se e Presidentit dhe 3000 Euro më e lartë se e ministrit, po bashkë me rritjen e kërkuar e dini sa shkon?! Oh, aty pastaj shkon pa asnjë shaka, mbi 5000 Euro më e lartë se paga e Presidentit dhe 6300 Euro më shumë se paga e ministrit!”. Në reagimin e tij, kryeministri ka komentuar edhe kallëzimin penal të bërë nga shoqatat e gjyqtarëve ndaj Ministrit të Financave dhe drejtuesve të thesarit. “Duket si fantazi e shfrenuar po në fakt është lënda e kallzimit penal që shoqatat e gjykatësve i kanë bërë Ministrit të Financave dhe drejtorëve të thesarit në tërë Shqipërinë, pse nuk dorëzojnë çelësat e thesarit për marrjen e këtyre shumave marramendëse pa vendim të parlamentit…”, tha Rama.
