Muaji gusht nuk do të jetë periudhë pushimesh për ministrat e qeverisë Rama 4. Përpara nisjes së sesionit të ri parlamentar, kryeministri Edi Rama do të zhvillojë takimin tradicional informal të kabinetit qeveritar, i njohur si "retreat", ku ministrat do të raportojnë mbi punën e deritanishme dhe objektivat për muajt në vijim.
Sipas Top Channel, mbledhja është planifikuar të mbahet më 24 dhe 25 gusht në Pogradec. Gjatë dy ditëve të punës, secili ministër do të paraqesë bilancin e institucionit që drejton, si dhe prioritetet që do të ndiqen në vijim të mandatit të katërt qeverisës.
Por ky takim pritet të ketë rëndësi edhe për zhvillimet politike brenda shumicës socialiste. Burime nga Partia Socialiste nuk përjashtojnë mundësinë që në ditët e para të shtatorit të mblidhet edhe Asambleja Kombëtare, përpara se Kuvendi të nisë punimet më 7 shtator.
Nëse kjo mbledhje zhvillohet, ajo mund të shërbejë edhe si momenti kur Edi Rama të shpallë një riformatim të kabinetit. Brenda PS-së prej javësh flitet për ndryshime të mundshme në të paktën gjashtë ministri, megjithëse vendimi final mbetet ekskluzivisht në dorën e kryeministrit.
Zërat për lëvizje në qeveri janë shtuar edhe pas prezantimit të dokumentit "Besa", të cilin Rama e ka cilësuar si modelin e ri të funksionimit të administratës dhe qeverisë gjatë mandatit të katërt. Ndërkohë, në rast se mblidhet Asambleja Kombëtare, në rendin e ditës pritet të përfshihet edhe propozimi i depozituar nga kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, për nisjen e një dialogu kombëtar mbi një marrëveshje të re për Shqipërinë. Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm

