Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se paketa e re ligjore kundër dhunës dhe anarkisë urbane nuk cenon liritë dhe të drejtat e qytetarëve, duke theksuar se protesta dhe kundërshtimi ndaj qeverisë janë të drejta që duhet të garantohen. Rama u shpreh se është i gatshëm të dëgjojë qytetarët që kanë kundërshtime ndaj qeverisë, por nënvizoi se kërkesa për dorëheqjen e tij nuk mund të imponohet përmes dhunës. Ai theksoi se shteti ka detyrimin të mbrojë rendin, sigurinë dhe pronën publike e private. “Të dashur miq, kjo paketë nuk ka asnjë shpikje alla shqiptarçe. Nuk ka asnjë pikë apo nen që bie ndesh me lirinë dhe të drejtat e qytetarëve të Shqipërisë. Në frymën e saj ka një të vërtetë shumë të thjeshtë: liria e secilit mbaron aty ku fillon liria e të tjerëve dhe të drejtat e gjithkujt ndalen aty ku cënohen të drejtat e të tjerëve. Kush nuk e do qeverinë apo do largimin tim, jo sot po dje, është në lirinë dhe të drejtën e tij ta mendojë, propagandojë apo kthejë në protestë këtë dëshirë. Këtu është detyra ime dhe e qeverisë që të garantojë se protesta e kujtdo që do një qeveri tjetër të zhvillohet pa asnjë trysni. Unë jam i gatshëm të dëgjoj këdo që do më parashtrojë kundërshtimin e tij ballë për ballë dme kërkesat që mendon se qeveria duhet të marrë parasysh. Kush kërkon dorëheqjen time, gabon duke menduar se mund të imponohet me dhunë apo me çdo formë tjetër. Përtej këtij kufiri unë kam detyrë të mbroj vendin dhe njerëzit nga çdo përpjekje për ta kthyer Shqipërinë mbrapa ndërsa shteti ka për detyrë ti tregojë vendin çdokujt që ngre dorën kundër pronës publike e private që kërcënon rendin dhe sigurinë” tha Rama.
