Aktivistja dhe studentja Anjeza Marku, e ftuar në studion e News24, ka kritikuar ashpër kryeministrin Edi Rama për masat e reja ndëshkuese të paralajmëruara ndaj protestuesve, duke deklaruar se qeveria po përpiqet të ushtrojë presion mbi të rinjtë përmes gjobave dhe sanksioneve administrative. Marku hodhi poshtë pretendimet se studentët janë përgjegjës për nisjen e përplasjeve gjatë protestave, ndërsa ngriti shqetësime për përdorimin e plumbave të gomës dhe gazit lotsjellës nga forcat e policisë. “Dhuna nuk ka nisur asnjëherë nga studentët. Përdorimi i plumbave të gomës ka një distancë nga ku duhet të përdoren. Duhet të përdoren në një distancë rreth 50 metra dhe të mos shënjestrohen kraharori dhe pjesa e sipërme e trupit”, u shpreh ajo. Duke komentuar paketën ligjore të prezantuar nga Rama, e cila parashikon gjoba të larta dhe masa të tjera ndaj pjesëmarrësve në protesta të dhunshme, aktivistja deklaroi se studentët nuk kanë ndërmend të tërhiqen nga kërkesa e tyre për dorëheqjen e kryeministrit. “Ne kërkojmë dorëheqjen e Ramës. Mesa duket, atij nuk i ka shkuar askush për dialog dhe ai mhet të ushtrojë presion e dhunë nga të gjitha anët, duke kërcënuar me gjoba e masa administrative. Nuk ka më asnjë në anën e tij”, deklaroi Marku. Studentja theksoi se një nga arsyet kryesore që e ka shtyrë të marrë pjesë në protesta është mungesa e meritokracisë në Shqipëri. Sipas saj, në tubime marrin pjesë të rinj të arsimuar dhe studentë me rezultate të shkëlqyera, të cilët kërkojnë mundësi të barabarta dhe një të ardhme më të mirë në vend.
“Unë ndodhem në protestë për shkak të mungesës së meritokracisë në këtë vend. Ka shumë të rinj ekselentë në atë protestë. Të rinjtë aty, shumica, janë shumë të formuar dhe ndihmojnë njëri-tjetrin”, tha ajo.
Marku denoncoi gjithashtu përdorimin në masë të gazit lotsjellës gjatë ndërhyrjeve policore, duke ngritur pikëpyetje për identifikimin dhe sigurinë e mjeteve të përdorura.
“Përdorimi i gazit lotsjellës në atë masë nga policia është kriminal. Nuk ka asnjë etiketë, datë skadence, etj.”, u shpreh aktivistja. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
