Kryeministri Edi Rama, në një deklaratë për shtyp, ka identifikuar ata që ai i quan protestuesit e dhunshëm në protestat e mbajtura në kryeqytet.
Sipas tij, asnjëri prej tyre nuk është student. Rama theksoi se dhuna nuk është ide, por krim, armik i demokracisë dhe lirisë. “Forca e ardhur nga jashtë, qershia mbi tortë, ose më saktë glasa mbi tortë, është PD-ja. Dje PD mori autorësinë e fillimit të dhunës te Ministria e Arsimit. Do të ndaj me ju pamje që do të trondisin më shumë se ju shumëkënd. Për arsye se është ruajtur identiteti i personave në respekt të ligjit. Të gjithë personat që do të shihni janë subjekt dhe objekt i sulmeve. Janë persona të ndaluar nga policia. Nuk janë studentë, janë diçka tjetër. Nuk i përkasin dhe nuk kanë asnjë lidhje me ata studentë që nuk i janë bashkuar kësaj dallge terrori urban, por që qëndrojnë në atë protestë paqësore, të lidhur me jetën e tyre të përditshme. Duan të më imponojnë mua që të shkel kontratën me shqiptarët. Çdo koment është i tepërt nga ana ime.
Mjaftojnë çehret, pavarësisht fshehjes së identitetit, që mund të jenë pjesë e një përfaqësie të një bote të zymtë, karrierat e këtyre individëve, që janë paguar nga krimi i organizuar dhe forca të huaja. Duan ta kthejnë përmbys edhe një herë rendin. Këta nuk janë studentët. Tani është koha që fjalia të mbështetet nga faktet dhe dokumentet”, tha Rama./ CNA Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

