Gazetari Artan Hoxha ka komentuar në studion e News24 protestat e studentëve, duke ngritur akuza për dhunën e ushtruar nga policia ndaj protestuesve dhe mënyrën se si, sipas tij, kryeministri Edi Rama menaxhoi reagimin e forcave të rendit. Hoxha u ndal te veprimet e efektivëve civilë dhe mjeteve të paidentifikuara, ndërsa kritikoi veçanërisht ndërhyrjen e forcave Shqiponja, të cilat sipas tij nuk janë të përgatitura për përballimin e protestave dhe në disa raste e kanë kthyer përplasjen në konflikt personal me qytetarët. Gazetari tha se numri i qytetarëve të lënduar ishte më i madh se ai i efektivëve të policisë, ndërsa shtoi se disa protestues nuk kanë shkuar në spital nga frika e shoqërimit nga policia. Duke komentuar qëndrimin e kryeministrit, Hoxha pretendoi se pas tri ditëve të para, Rama ndryshoi taktikë dhe përdori Policinë e Shtetit për interesa politike. Në fokus të deklaratave të tij ishin edhe komunikimet radiofonike të policisë. Gazetari paralajmëroi se mund të publikohen regjistrime të tjera, të cilat sipas tij përmbajnë urdhra më të rëndë se ai që është bërë publik deri tani. “Ka patur civilë, mjete të paidentifikuara…sidomos pjesën e dhunës këto repartet e Shqiponjave që nuk janë të përgatitura për të përballuar protesta. Ata e kthenin në një konflikte personal dhe kë gjenin në rrugë ato të masakronin. Por këto edhe në shifra përpiqen që të nxjerrin më shumë policë të plagosur se sa qytetarë. Ne e dimë që më shumë të lënduar ishin qytetarë, të veshur me skafanda ishin policë. Dhe një pjesë e mirë e qytetarëve të lënduar nuk kanë shkuar në spitale për shkak të frikësimit nga shoqërimi. Taktika që përdori Rama pasi e mblodhi veten 3 ditët e para ishte taktika ku edhe bëri takimin e famshëm që ishte shumë turpërues. Rama e ktheu policinë për interes të veta. Ajo është polici e shtetit shqiptar dhe jo e Edi Ramës. Kjo polici papritmas kryeministri kujtohet dhe i çon 8 mln euro nga paratë e taksapaguesve dhe ia jep si dorovitje për t’i kthyer në mercenar. Ai ua bëri të qartë që vazhdoni, qëndroni i dha edhe shpërblim se mbas jush jam unë dhe do shpërblej këdo nga ju që më shërben. Presione patjetër që ka pasur…Ka pasur njësi të caktuara që nuk i janë përgjigjur thirrjes, do dalin përgjimet e plota komunikimet që kanë patur në radio. Janë të regjistruara. Vetëm një pasazh pamë atje dhe thoshte ‘mos i kurseni’ , do shihni komunikime të tjera që janë më të rënda se kaq. Kur gjetëm audion e urdhrave të 21 janarit , këto i gjejmë shpejt”, tha ai. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: Artan Hoxha edi rama Policia e Shtetit protesta Tirane
