Një studente pjesëmarrëse në protestën që po zhvillohet para Kryeministrisë ka lëshuar kritika të forta ndaj klasës politike shqiptare, duke kërkuar largimin e figurave të vjetra politike dhe ndryshimin e sistemit aktual. Në një prononcim për News24, studentja deklaroi se të rinjtë nuk kanë më besim as te opozita, të cilën e akuzoi se nuk ka ndërmarrë veprime konkrete në Parlament, pavarësisht mundësive që ka pasur për të propozuar ndryshime. Sipas saj, deputetët e opozitës shpesh përfshihen në përplasje me mazhorancën dhe ndërpresin seancat parlamentare, por në fund vendimet miratohen pa u penguar. “Nuk kemi çfarë besimi të kemi tek opozita, kur e ka treguar veten që nga viti 2017 e më pas. I shohim deputetët e opozitës që bëjnë cirk në Parlament me mazhorancën. Bëjnë sikur prishin seancat parlamentare, por të gjitha vendimet kalojnë, kur ata mund të tregoheshin konkretë dhe të sillnin propozime. Ata nuk janë shoqëri civile, ndaj mund të bënin diçka konkrete në Parlament”, u shpreh studentja. Ajo theksoi se protesta nuk synon vetëm largimin e kryeministrit Edi Rama, por kërkon një ndryshim më të gjerë të klasës politike, duke përfshirë edhe kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha. “Ne kërkojmë pastrimin e gjithë klasës politike. Këtu përmendim Ramën dhe Berishën. ‘I duam në burg’, themi, dhe kjo është një thirrje për drejtësi”, deklaroi protestuesja.
Studentja u bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës, duke theksuar se ndryshimi kërkon mbështetje të gjerë shoqërore dhe angazhim të vazhdueshëm.
“Të gjithë duhet t’i bashkohen protestës, sepse është e drejtë dhe ndryshimin e meritojmë. Ai duhet të vijë gradualisht. Na duhet mbështetje masive e shoqërisë, duke ardhur këtu në shesh, por edhe duke trokitur në dyert e Partisë Socialiste për t’u thënë se nuk i duan më”, përfi studentja. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
