Protesta qytetare kundër qeverisë hyn sot në ditën e saj të 93-të radhazi, duke vijuar një mobilizim që tashmë ka kaluar tre muaj pa ndërprerje. Qytetarët pritet të mblidhen sërish në Tiranë, duke vijuar të njëjtën skemë të ditëve të fundit, me grumbullimin në sheshin “Skënderbej” dhe marshimin përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” drejt Kryeministrisë. Në qendër të protestës mbetet kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë. Prej 92 ditësh, protestuesit kanë vijuar tubimet e përditshme, duke deklaruar se nuk do të tërhiqen deri në realizimin e kërkesave të tyre. Krahas largimit të Ramës dhe kabinetit qeveritar, pjesë e platformës së artikuluar gjatë protestave është edhe ngritja e një qeverie tranzitore dhe ndryshimi i sistemit politik. Edhe protesta e 92-të, e zhvilluar një ditë më parë, u karakterizua nga marshimi, thirrjet kundër qeverisë dhe fjalimet përpara Kryeministrisë. Qytetarët u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej” dhe më pas u nisën drejt godinës së qeverisë, me pankarta, bilbila dhe thirrje për dorëheqjen e Edi Ramës. Gjatë marshimit u dëgjua edhe thirrja “Arresto Ballukun”. Nga foltorja përpara Kryeministrisë, aktivistja Sidorela Vatnikaj deklaroi se protesta nuk do të ndalet pa largimin e Ramës dhe qeverisë së tij. Ajo e vendosi theksin edhe te kundërshtimi i sistemit të vjetër politik, duke deklaruar se protestuesit nuk duan të zgjedhin më mes “dy liderëve autokratikë”, por kërkojnë një Shqipëri të re. Mes folësve ishte edhe aktivisti Arben Kola, i cili lëshoi akuza të forta ndaj mazhorancës dhe tha se qytetarët janë mbledhur për t’i thënë “shporru” qeverisë. Ai u ndal veçanërisht te situata në Kukës, duke akuzuar pushtetin për shpopullimin dhe lënien pas dore të zonës.
Në protestë foli gjithashtu një nënë e kthyer nga emigracioni, e cila tha se ishte rikthyer në Shqipëri pasi, sipas saj, “atdheu është në rrezik”. Ajo u bëri thirrje prindërve që t’u bashkohen të rinjve në protestë, ndërsa pretendoi se gjatë marshimit drejt Kryeministrisë nga lart ishin hedhur vezë në drejtim të protestuesve.
Një tjetër protestuese deklaroi se qeveria, sipas saj, po shfaq shenja frike dhe se pas 92 ditësh qytetarët nuk gënjehen më nga ajo që e cilësoi si “fasadë” të pushtetit. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

