Momente tensioni janë regjistruar këtë të shtunë përpara Ministrisë së Arsimit, ku deputetët dhe mbështetësit e Partisë Demokratike janë përballur me kundërshtimin e studentëve, pasi iu bashkuan protestës së tyre.
Protestuesit kanë refuzuar praninë e përfaqësuesve të opozitës, duke kërkuar që ata të mos bëhen pjesë e tubimit. Sipas të rinjve, protesta është një revoltë qytetare dhe nuk duhet të përvetësohet apo të përdoret nga asnjë forcë politike.
Gjatë përplasjes verbale, dy të rinj janë përfshirë në një debat, ndërsa nga turma janë dëgjuar edhe mesazhe kundër përfaqësimit partiak.
“ Kjo protestë është e popullit, ai që nuk është i mirëpritur është një person që vetë ekzistenca e tij simbolizon një parti. Nuk duam persona që janë simbol i partive politike që na kanë rrënuar ndër vite”, u shpreh një prej protestuesve.
Ndërsa një tjetër protestuese reagoi me fjalët: “Shqiptarët janë bashkë, por jo kriminelët”.
Edhe një qytetare tjetër theksoi se të rinjtë nuk do të lejojnë që protesta të përdoret për interesa partiake.
“Kjo rini nuk mashtrohet. Protesta nuk është për partinë, le ta harrojnë se mund të mashtrojnë këtë rini. Na kanë mashtruar ne, por me këtë rini jo. Egnaf”, u shpreh ajo.
Nga ana tjetër, deputetët e Partisë Demokratike, mes tyre Flamur Noka, Gazment Bardhi dhe Agron Gjekmarkaj, ishin nisur nga selia blu së bashku me mbështetës të opozitës. Ata qëndruan për rreth 30 minuta përpara Kryeministrisë dhe më pas marshuan drejt Ministrisë së Arsimit. Në këtë marshim nuk ishte i pranishëm kryetari i PD-së, Sali Berisha.
Studentët vijojnë prej tri javësh protestën kundër qeverisë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Ndërkohë, reagimi i sotëm i tyre tregon se një pjesë e protestuesve kërkojnë ta mbajnë lëvizjen të pavarur nga partitë politike, pavarësisht mbështetjes që këto të fundit shprehin për revoltën e tyre.

