Kryeministri Edi Rama ka ashpërsuar retorikën ndaj Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), duke i cilësuar si “fytyra e dështimit” të reformës në drejtësi. Gjatë fjalës së tij, Rama tha se reforma në drejtësi ka sjellë edhe rezultate që, sipas tij, përfaqësojnë anën e suksesit, duke përmendur SPAK dhe GJKKO. Ndërsa për KLP dhe KLGJ, kryeministri shprehu kritika të forta. “Nëse SPAK, GJKKO apo disa komponentë të tjerë janë fytyrë suksesi, KLP dhe KLGJ janë fytyra e dështimit të reformës në drejtësi”, u shpreh Rama. Kryeministri u ndal edhe te pagat e funksionarëve të sistemit të drejtësisë, duke theksuar se ato janë disa herë më të larta krahasuar me pagat e personave të pranishëm në mbledhje. Sipas Ramës, diferenca në paga krijon pikëpyetje për perceptimin e punonjësve të administratës lidhur me nivelin e pagës së tyre. “Parafytyro nga ana tjetër si mund të thotë një punonjës i administratës që i mjafton paga”, deklaroi kryeministri.
