Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, i bëri thirrje qeverisë të pezullojë Taksën e Qarkullimit dhe Taksën e Karbonit, duke argumentuar se kjo do të ulte menjëherë çmimin e naftës për qytetarët dhe bizneset. Blushi deklaroi se vendet e rajonit kanë ndërmarrë masa për të ulur çmimin e karburanteve, ndërsa kërkoi që mazhoranca të rikthejë për shqyrtim dhe votim projektligjin e depozituar nga Partia e Lirisë për pezullimin e këtyre taksave. LEXO edhe...Greqia ul çmimet për mbi 1.600 produkte, gazetari nga Athina tregon si u arrit marrëveshja me bizneset, konsumatorët janë skeptikë! "Ndërsa Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut fqinje po marrin masa konkrete për të ulur çmimin e karburanteve dhe për të mbrojtur qytetarët nga rritja e kostos së jetesës, në Shqipëri nafta ka arritur në 219 lekë për litër, duke e bërë edhe më të rëndë barrën e pamerituar mbi familjet shqiptare, biznesin dhe ekonominë në tërësi. Në Maqedoninë e Veriut fqinje, falë ndërhyrjes së Qeverisë, çmimi i naftës ka zbritur në rreth 1.54 euro për litër, ndërsa në Malin e Zi fqinj, qeveria ka ndërhyrë konkretisht përmes uljes së akcizave, duke e çuar çmimin në rreth 1.87 euro për liter. Ndërsa qeveritë e vendeve fqinje, përfshi edhe Italinë, zgjedhin të përdorin instrumentet fiskale për të lehtësuar kostot e qytetarëve dhe ekonomisë, në Shqipëri qeveria zgjedh të bëjë të kundërtën, duke mbajtur të paprekura taksat dhe duke përfituar më shumë të ardhura sa herë që rritet çmimi i karburantit. Partia e Lirisë e ka depozituar prej kohësh në Kuvend Projektligjin për uljen e çmimit të karburanteve, përmes pezullimit të Taksës së Qarkullimit dhe Taksës së Karbonit, një masë konkrete, e drejtpërdrejtë dhe e zbatueshme që do të ulte menjëherë çmimin e naftës për qytetarët dhe bizneset; një propozim që, për fat të keq, u rrëzua me arrogancë nga mazhoranca e Edi Ramës, pavarësisht se sot realiteti ekonomik dhe shembulli i vendeve fqinje po dëshmojnë pikërisht domosdoshmërinë e ndërhyrjes që Partia e Lirisë kërkoi. Çmimi i naftës nuk është thjesht çmimi që paguhet në pikën e karburantit. Çdo rritje e tij transmetohet zinxhir në të gjithë ekonominë, duke rritur koston e transportit, të prodhimit, të shërbimeve dhe, mbi të gjitha, çmimin e produkteve bazë që qytetarët blejnë çdo ditë, nga buka dhe qumështi, te mielli, makaronat, vaji, orizi dhe çdo produkt tjetër i shportës, duke e kthyer naftën në një taksë të fshehur mbi të gjithë jetën ekonomike të shqiptarëve. Arsyeja pse barra është kaq e rëndë është e qartë. Taksat përbëjnë rreth 60% të çmimit të naftës, ndërsa sa herë rritet çmimi i karburantit, rritet automatikisht edhe vlera e TVSH-së 20% që qytetarët paguajnë dhe që përfn në arkën e shtetit. Sot, vetëm Taksa e Qarkullimit është 27 lekë për litër, e cila, pasi i shtohet TVSH-ja, arrin në rreth 32 lekë për litër, duke i shtuar një tjetër barrë të konsiderueshme çdo qytetari. Shqiptarët paguajnë dy herë për rrugët. Një herë përmes taksave të regjistrimit dhe kolaudimit të automjeteve, që arrijnë në rreth 70 mijë lekë në vit, dhe një herë tjetër përmes Taksës së Qarkullimit të paguar në çdo litër karburant, ndërkohë që nga kjo taksë qeveria mbledh rreth 300 milionë euro në vit, por për mirëmbajtjen reale të rrugëve shpenzon vetëm rreth 55 milionë euro. Pa harruar faktin se cila është sot gjendja e rrugëve në të katër anët e vendit, me rrugë të shembura e të shkërmoqura, që i merr lumi pas çdo rrebeshi shiu. Partia e Lirisë ka propozuar zgjidhjen konkrete: pezullimin e Taksës së Qarkullimit dhe pezullimin e Taksës së Karbonit, në mënyrë që ulja e çmimit të naftës të ndihet menjëherë në xhepin e qytetarit. Shqetësimi më i madh i qytetarëve shqiptarë sot është kostoja dy apo tre fishuar e jetesës në vitet e fundit. Shqiptarët shpenzojnë 40% të buxhetit familjar për ushqim dhe paguhen më pak se të gjithë qytetarët e Bashkimit Europian. Çmimet në Shqipëri janë sot 50% më të larta se në Europë dhe sipas EUROSTAT 55% e shqiptarëve nuk mbyllin dot muajin me të ardhurat, pagat e pensionet mizerabël. Paga minimale në Shqipëri është jo vetëm më e ulta në Europë, por edhe shumë më e vogël edhe në raport me vendet e Ballkanit Perëndimor. Nga 1 janari, paga minimale në Shqipëri është 50 mijë lekë, ndërkohë që Mali i Zi e ka 670 euro, Serbia 618 euro, Maqedonia e Veriut 584 euro dhe Bosnjë-Hercegovina 660 euro. Situata shumë e rëndë për konsumatorët familjarë dhe bizneset kërkon ndërhyrje të menjëhershme dhe konkrete për t’u ardhur në ndihmë atyre, së pari për të mos thelluar më varfërinë dhe së dyti për të bërë cfarë të jetë e mundur që biznesi të funksionojë normalisht duke mbrojtur në radhë të parë punësimin. Partia e Lirisë mirëpret çdo reflektim të deputetëve të mazhorancës për uljen e çmimit të naftës, përfshirë edhe propozimet e bëra së fundmi për heqjen e Taksës së Qarkullimit, sepse përballë një barre kaq të rëndë mbi qytetarët, çdo hap në drejtimin e uljes së çmimit është i mirëpritur. Por nuk ka nevojë të shpiket një ligj i ri dhe as të bëhet propagandë e re. Projektligji i Partisë së Lirisë është në Kuvend, i gatshëm për t'u rishqyrtuar dhe rivotuar. Le ta nxjerrin nga sirtari, ta votojnë dhe ta zbatojnë pa vonesë. Nëse mazhoranca e ka realisht shqetësimin për qytetarët, nëse vërtet dëshiron të ulë koston e jetesës dhe nëse propozimi për heqjen e Taksës së Qarkullimit nuk është thjesht një deklaratë politike për konsum mediatik, atëherë sot ka një mundësi të thjeshtë për ta provuar, ta rikthejë për votim Projektligjin e Partisë së Lirisë, një masë konkrete që do të sillte ulje të menjëhershme të çmimit të karburanteve dhe lehtësim real për qytetarët dhe bizneset. Pezulloni Taksën e Qarkullimit, pezulloni Taksën e Karbonit, ulni çmimin e naftës dhe ktheni paratë në xhepat e shqiptarëve!" U.D/ReportTv.al tedi blushi Partia e Lirise taksat çmimi i naftes Komento Komente Sondazhi i ditës: Bashkia e Tiranës pa drejtues në zyrë, kush e ka përgjegjësinë? Politika 30.5% Drejtësia 65.8% Nuk e di 3.7% Vota total: 2758 Sondazhi i ditës: Bashkia e Tiranës pa drejtues në zyrë, kush e ka përgjegjësinë?

