Një këngë franceze e publikuar më shumë se një dekadë më parë është bërë pjesë e valës së protestave që prej muajsh po zhvillohen në Shqipëri. Bëhet fjalë për “J’comprends pas” të grupit të repit PNL, e cila po shoqëron mijëra video të publikuara nga të rinjtë në rrjetet sociale, duke kthyer një prej hiteve të grupit në kolonë zanore të revoltës së tyre.
Fenomeni ka tërhequr vëmendjen e Radio France, e cila i ka kushtuar një artikull lidhjes mes muzikës dhe protestave të të rinjve shqiptarë. Sipas medias franceze, mobilizimi nisi në maj, fillimisht kundër projekteve të ndërtimit të komplekseve luksoze në hapësira natyrore të mbrojtura, por me kalimin e kohës pakënaqësia u shtri në çështje më të gjera shoqërore dhe politike.
Korrupsioni, pabarazia, mungesa e perspektivës dhe përkeqësimi i shërbimeve publike janë kthyer në pjesë të kërkesave të protestuesve, ndërsa që nga mesi i tetorit lëvizjes i janë bashkuar masivisht edhe studentët.
Por ajo që ka veçuar Radio France është pikërisht zgjedhja muzikore e të rinjve. Në videot që dokumentojnë protestat, kënga “J’comprends pas” është shndërruar në një element të përsëritur, pavarësisht se teksti i saj është në frëngjisht dhe nuk dihet nëse kuptohet plotësisht nga të gjithë ata që e përdorin.
Një këngë për zhgënjimin dhe ndjesinë e të qenit i pakuptuar
E publikuar në vitin 2015, “J’comprends pas” ka regjistruar më shumë se 252 milionë dëgjime në Spotify, duke u renditur si kënga e dytë më e dëgjuar e PNL-së në këtë platformë.
Radio France i referohet edhe analizës së platformës Rapedia, e specializuar në kulturën e repit, sipas së cilës kënga trajton zhgënjimin dhe kërkimin e identitetit. Mesazhi i saj lidhet me përvojën e njerëzve që ndihen të keqkuptuar dhe me pikëpyetjet që kanë përballë vlerave dhe sfidave të shoqërisë.
Edhe pse është e vështirë të përcaktohet nëse kjo është arsyeja që i ka shtyrë protestuesit shqiptarë ta zgjedhin, media franceze vëren se titulli i këngës, “Nuk kuptoj”, duket se gjen një përputhje me klimën e pakënaqësisë dhe zhgënjimit të të rinjve në Shqipëri, të cilët kërkojnë mundësi dhe një të ardhme më të mirë.
Nga Shqipëria në Francë, një brez me shqetësime të përbashkëta
Radio France e zgjeron vështrimin edhe te Franca, ku që prej shtatorit nxënës dhe studentë kanë dalë në rrugë për të kundërshtuar mungesën e financimit në institucionet arsimore, klasat e mbipopulluara dhe mungesën e mësuesve.
Megjithëse realitetet politike të dy vendeve janë të ndryshme, artikulli evidenton shqetësime që i bashkojnë të rinjtë në të dyja anët: pabarazia, pasiguria për të ardhmen dhe ndjesia se institucionet nuk po i dëgjojnë.
Kështu, kënga e PNL-së, e cila tashmë është bërë pjesë e videove të protestave shqiptare, mund të gjejë një tjetër hapësirë në mobilizimet e të rinjve francezë. Një melodi që kapërcen kufijtë gjuhësorë dhe që, të paktën në pamjet e shpërndara online, është bërë pjesë e mënyrës se si një brez shpreh pakënaqësinë e tij. Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm

