Një qytetare nga Tirana i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar atë që ajo e cilëson si një përvojë zhgënjyese me mobilierinë 'Vllaznia', që ndodhet në Tapizë të Fushë-Krujës.
Sipas saj, rreth një muaj më parë porositi një mobilje pranë kësaj mobilierie. Qytetarja tregon se iu kërkua një kapar prej 1 milion lekësh të vjetra, por në atë moment kishte mundësi të linte vetëm gjysmën e shumës, 500 mijë lekë të vjetra.
Ajo pretendon se pas marrjes së kaparit, mobilja nuk iu dorëzua brenda afatit të premtuar dhe se për javë me radhë është mbajtur me justifikime të vazhdueshme.
"Më thoshin 'do ta sjell sot', 'do ta sjell nesër'. Kaluan ditët dhe mobilja nuk erdhi kurrë. U lodha nga pritja dhe u kërkova të më kthenin kaparin, as paratë nuk m'u kthyen."
Qytetarja shprehet se e ka kallëzuar rastin edhe në Komisariatin e Policisë në Fushë-Krujë, por pretendon se deri më tani nuk ka marrë asnjë përgjigje.
Në mesazhin e dërguar në redaksi, ajo shkruan:
"Nuk e kam aspak te shuma e lekëve, por më vjen inat që, sipas asaj që kam mësuar, nuk isha e para që përballesha me një situatë të tillë. Arsyeja pse po ju shkruaj është që njerëzit të informohen dhe të mos bien pre e së njëjtës situatë."
Në videon e dërguar në redaksinë tonë, qytetarja përsërit të njëjtat pretendime dhe shton se, sipas informacionit që ka marrë, mund të ketë pasur edhe persona të tjerë që janë ankuar për të njëjtën mobiliëri. JOQ Albania nuk ka mundur ta verifikojë në mënyrë të pavarur këtë pretendim.
JOQ Albania është e hapur për të publikuar edhe reagimin e mobilierisë 'Vllaznia' lidhur me këto pretendime, nëse ajo dëshiron të japë versionin e saj të ngjarjes. View this post on Instagram A post shared by JOQ Albania (@joqalbania)

