Një qytetar i është drejtuar JOQ Albania me një denoncim, ku pretendon se familjes së tij i është tjetërsuar prona, edhe pse prej më shumë se 10 vitesh ndodhet në proces gjyqësor. Sipas tij, bëhet fjalë për truallin ku ndodhet ish-markata në fillim të rrugës “Jordan Misja” në Tiranë. Ai shprehet se familjes i është njohur prona që në vitin 1995 me vendim të ish-Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (AKKP), ndërsa vendimi ka qenë i regjistruar edhe në hipotekë.
Sipas denoncuesit, në vitin 2016 ish-shitësit e markatës hapën proces gjyqësor për shkak të mbivendosjes së pronësisë, pasi nuk mund të pajiseshin me certifikatë pronësie. Çështja, sipas tij, vijon të jetë e pashqyrtuar në Gjykatën e Apelit prej nëntë vitesh. Megjithatë, ai pretendon se në dhjetor të vitit 2024 paditësit janë pajisur me certifikatë pronësie dhe më pas e kanë shitur pronën te një kompani ndërtimi, e cila tashmë ka siguruar lejen e ndërtimit dhe po përgatitet të shembë objektin ekzistues.
Familja thotë se i është drejtuar Agjencisë Shtetërore të Kadastrës për të kërkuar sqarime se si është fshirë regjistrimi i vendimit të AKKP dhe mbi çfarë baze ligjore është bërë pajisja me certifikatë, ndërkohë që procesi gjyqësor nuk ka përfunduar me një vendim të formës së prerë. Denoncuesi pretendon gjithashtu se institucionet nuk kanë vendosur kufizime ndaj kompanisë ndërtuese, duke shprehur shqetësimin se situata mund të çojë në konflikt. JOQ Albania publikon këtë denoncim dhe pret një reagim zyrtar nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe institucionet përgjegjëse për të sqaruar pretendimet e ngritura nga qytetari.

