Një tjetër tender me hije të forta dyshimi dhe pa asnjë konkurrencë reale është mbyllur pranë shoqërisë shtetërore Sh.A Posta Shqiptare. Me një prapavijë ku procedurat formale mbulojnë mungesën e garës së hapur, fondet publike vazhdojnë të rrjedhin te konsorciume të paravendosura kompanish. Sipas të dhënave zyrtare nga Agjencia e Prokurimit Publik (Referenca: REF-86041-05-19-2026 / Njoftimi: CN/44058/07292026), Posta Shqiptare ka zhvilluar tenderin me objekt: "Shërbimi i marrjes në rrugë valore të sinjaleve të alarmit, verifikimit dhe reagimit me grup të gatshëm në të gjitha filialet e degët e Postës Shqiptare" (Kodi CPV: 79713000-5). Për këtë shërbim, institucioni kishte caktuar një fond limit prej 25,504,669.00 Lekë të reja pa TVSH ose gati 306 milionë lekë të vejtra pa TVSH. Ndërkohë, oferta fituese e shpallur kap shifrën e 25,482,240.00 Lekëve të reja pa TVSH ose rreth 305 milionë lekë të vjetra me TVSH. Ndryshimi mes fondit limit të vënë në dispozicion nga shteti dhe ofertës me të cilën është fituar tenderi është më pak se 22 mijë lekë. Kjo ulje qesharake tregon qartë se oferta është kalkuluar për të marrë maksimalisht fondin e vënë në dispozicion, pa pasur asnjë trysni garash apo ulje çmimi në dobi të buxhetit të shtetit. Dokumentet tregojnë se në këtë procedurë nuk ka pasur asnjë garë. Asnjë operator tjetër nuk ka marrë pjesë dhe asnjë nuk është skualifikuar, pasi fituesi ka qenë i vetëm në fushëbetejë.
Tenderi i është dhënë një bashkimi operatorësh ekonomike (BOE) të përbërë nga katër kompani të njohura të shërbimeve të sigurisë fizike e me alarm: NAZERI – 2000 (NIPT: K314222029Q) – me administrator Alfred Zylalaj dhe pronar 100% Durim Nazëraj. EUROGJICI-SECURITY (NIPT: K31922010K) – me administrator dhe pronar 100% Lavdrim Gjici. S.A.S (Special Albania Security) (NIPT: K31526053M) – me administrator dhe pronar 100% Albi Mane. TREZHNJEVA (NIPT: K19303605O) – me administrator dhe pronar 100% Adem Trezhnjeva. Pse duhej që katër kompani të mëdha të mbrojtjes dhe sigurisë fizike të bëheshin bashkë për një tender të tillë, në vend që të konkurronin me njëra-tjetrën për të ulur çmimin? Kjo formë bashkëpunimi ngre pikëpyetje të mëdha mbi oligopolin në tregun e sigurisë private dhe marrëveshjet e paracaktuara për ndarjen e tenderave publikë. Me Postën Shqiptare që administrohet nën drejtimin e Etjen Xhafajt, praktika të tilla ku tenderat publikë mbyllen me diferenca minimale nga fondi limit dhe pa asnjë rivalitet tregtar vazhdojnë të ngrenë pyetje mbi transparencën, eficiencën e përdorimit të parave të taksapaguesve dhe rolin e organeve kontrolluese në monitorimin e prokurimeve publike.
A do të ketë një hetim apo verifikim nga Autoriteti i Konkurrencës apo organet audituese për këtë procedurë ku "fiton gjithmonë e njëjta skemë"? Mbetet për t'u parë.

