Ëmbëlsuesit artificialë janë një zgjedhje e zakonshme për pacientët me diabet, për të cilët një lugë sheqer në kafe ose një tas me tërshërë nuk lejohet, për shkak të kufizimeve dietike shumë strikte dhe të domosdoshme për menaxhimin e sëmundjes. Dhe në këtë drejtim, një ekip studiuesish nga Universiteti i Kembrixhit ka disa lajme të këqija për diabetikët: disa “ëmbëlsues të përdorur gjerësisht” ka shumë gjasa të pengojnë rritjen e baktereve të zorrëve që janë thelbësore për shëndetin e përgjithshëm, përfshirë një lloj bakteri që luan rol në kontrollin e nivelit të sheqerit në gjak.Lexo edhe:Problemet e vazhdueshme financiare mund ta bëjnë trurin të plaket më shpejt Në një studim të publikuar nga Molecular Systems Biology, një revistë shkencore, ekipi shqyrtoi se si ëmbëlsuesit artificialë dhe ata me pak kalori ndikojnë te bakteret e zorrëve dhe nëse këto efekte ndryshojnë kur ëmbëlsuesit konsumohen në kafe ose në ilaçe. Siç rezultoi, tre të katërtat e 39 ëmbëlsuesve të testuar ndryshuan mënyrën e rritjes së të paktën njërit prej 25 baktereve të zorrëve, efekte që përfshinin edhe ndalimin e rritjes së disa prej tyre. Më pas, studiuesit testuan ëmbëlsuesit në kombinim me substanca të tilla si kafeja, ushqimet dhe ilaçet, duke gjetur mbi 100 raste ku ata “vepruan ndryshe” krahasuar me përdorimin e tyre të pavarur. “Ëmbëlsuesit shpesh reklamohen si neutralë nga pikëpamja metabolike, por studimi ynë e vë në pikëpyetje këtë ide”, tha Kiran Patil nga njësia e toksikologjisë në Kembrixh. “Ne zbuluam se ata mund të ndikojnë drejtpërdrejt te bakteret e zorrëve, veçanërisht kur përzihen me përbërës të tjerë si ilaçet dhe aditivët ushqimorë”, shpjegoi Patil, duke paralajmëruar se këto “kombinime të zakonshme” mund të shkaktojnë “efekte të padëshiruara” në mikrobiomën e zorrëve. Studiuesit thanë se kombinimi i një përbërësi të nxjerrë nga ëmbëlsuesi stevia, i përdorur gjerësisht, me duloxetinën, një ilaç kundër depresionit, “shtypi fuqishëm” dy baktere të lidhura me kontrollin e sheqerit në gjak dhe shëndetin e zorrëve. Gjetjet i shtohen një numri gjithnjë në rritje kërkimesh që ngrenë shqetësime rreth ëmbëlsuesve. Në vitin 2025, shkencëtarë nga Gjermania dhe SHBA-ja paralajmëruan se ëmbëlsuesit mund të çojnë në ngrënie të tepërt, ndërsa një ekip me bazë në São Paulo ngriti shqetësime për lidhje të mundshme me humbjen e kujtesës./DPA News

