Pavarësisht ndërhyrjeve të Policisë me ujë me presion dhe përplasjeve në disa zona të Tiranës, protestuesit vijojnë marshimin drejt Kryeministrisë. Thirrjet kundër Edi Ramës, Sali Berishës dhe klasës politike nuk kanë të ndalur. Protestuesit nuk tërhiqen nga rrugët e kryeqytetit, pavarësisht ndërhyrjeve të forcave të Policisë, të cilat kanë përdorur ujë me presion për shpërndarjen e tyre. Prej rreth pesë orësh, qytetarët vijojnë revoltën, duke u rikthyer në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” edhe pas përplasjeve me efektivët e rendit.
Duket se ashtu si Partia Demokratike nuk arriti dot ta përçajë protestën, as Policia nuk ka mundur t'i shpërndajë përfundimisht protestuesit.
Thirrjet kundër klasës politike, kryeministrit Edi Rama dhe kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, nuk kanë të ndalur. Protestuesit ndodhen para Kryeministrisë, ndërsa bulevardi po jehon nga brohoritjet “Polici e krimit!”, “Dorëheqje!”, “Liri, demokraci!”, “Arrestoni Ramën!”, “Shqipëria kërkon revolucion!” dhe “Rama burg, Berisha burg!”.
Nuk kanë munguar as ironitë ndaj deputetes socialiste Zegjine Çaushi. “Zegjine, Zegjine 3 milionë jemi ne. Ti nuk di të numërosh, shko në shkollë të mësosh”, shprehen protestuesit kundër deputetes së PS.
Në shënjestër të thirrjeve është vendosur edhe Partia Demokratike, ndaj së cilës protestuesit kanë thirrur: “Parti Demokratike, si u shite gjithë këto vite”, duke shprehur pakënaqësinë jo vetëm ndaj qeverisë, por edhe ndaj opozitës.
Protesta, e nisur në orën 14:00, është shoqëruar me tensione të forta dhe përplasje mes qytetarëve dhe forcave të Policisë. Një nga momentet më të tensionuara u regjistrua pranë Ministrisë së Arsimit, ku jo vetëm djem, por edhe vajza u përfshinë në përplasjet me efektivët.
Gjatë incidenteve pati hedhje gurësh dhe djegie të koshave të mbeturinave, ndërsa Policia ndërhyri me ujë me presion për të shpërndarë protestuesit.
Situata të ngjashme u regjistruan edhe përpara Kryeministrisë, ku forcat e rendit arritën të boshatisnin përkohësisht bulevardin, duke i shpërndarë qytetarët në disa zona të Tiranës.
Megjithatë, ndërhyrja nuk i dha fund protestës. Një pjesë e qytetarëve u rikthyen sërish përpara godinës së qeverisë, duke vijuar marshimin dhe thirrjet kundër drejtuesve politikë.
Në një moment, protestuesit arritën të zmbrapsnin për disa metra efektivët e Policisë, ndërsa forcat “Shqiponja” dhe FNSH u vendosën në kordon për të penguar avancimin e mëtejshëm të turmës.
Përpara Kryeministrisë janë pozicionuar gjithashtu furgonë të Policisë dhe autobote me ujë, ndërsa gjatë ndërhyrjeve janë regjistruar edhe shoqërime të protestuesve. Numri i personave të shoqëruar nuk është bërë ende i ditur.
Pas rreth pesë orësh protestë, situata mbetet e tensionuar. Pavarësisht përplasjeve dhe ndërhyrjeve policore, qytetarët shprehen të vendosur për të vijuar revoltën e tyre, pa dhënë shenja tërheqjeje. Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Aktualitet Detaje nga zjarri në Lezhë, shkak dyshohet një cigare e lënë ndezur 7 Nëntor 2026, 18:4218:42Aktualitet Boshatiset bulevardi, policia shpërndan protestuesit; nisin shoqërimet 7 Nëntor 2026, 18:0818:08Aktualitet 5 persona në spital nga zjarri në Lezhë, administratori i pallatit tregon momentet e tmerrit 7 Nëntor 2026, 17:3417:34Aktualitet Hidhen fishekzjarrë dhe molotovë drejt policisë, shtohen forcat në bulevard 7 Nëntor 2026, 17:2517:25Aktualitet Protestuesit tërhiqen nga Kryeministria, policia aktvizion autobotet e ujit 7 Nëntor 2026, 17:1717:17Aktualitet Tensionet zhvendosen në bulevard, molotovë e gurë para Kryeministrisë 7 Nëntor 2026, 17:0517:05Aktualitet

