Një qytetar nga Saranda ka ngritur shqetësimin për cilësinë dhe sigurinë e një produkti ushqimor të blerë në një supermarket të njohur në qytet.
Përmes një videoje të dërguar në redaksinë tonë, qytetari tregon një kuti qumështi, të cilën thotë se e ka blerë mbrëmjen e kaluar, ndërsa ditën e sotme produkti ka rezultuar i prishur që ngjan më shumë me kos sesa me qumësht.
Ajo që e bën situatën edhe më shqetësuese është fakti se, sipas qytetarit, fëmija i tij ka konsumuar nga ky qumësht si mbrëmjen e kaluar, ashtu edhe gjatë ditës së sotme.
I revoltuar nga kjo situatë, qytetari kërkon të dijë se kush mban përgjegjësi për produktin e shitur dhe nëse janë respektuar standardet e sigurisë ushqimore.
“Kush mban përgjegjësi për cilësinë e produkteve që u shiten konsumatorëve?”
Qytetari kërkon transparencë dhe një reagim nga subjekti tregtar, si dhe verifikimin e rastit nga institucionet përgjegjëse.
"Përshëndetje jeta është qejf. Ky është një produkt i cili është blerë mbrëmë në një supermarket këtu në qytetin e Sarandës, në një supermarket mjaft me emër. Urdhëro. Ky është pra qumështi. Urdhëro. Nuk është kos, është qumësht. Kush mban përgjegjësi për këtë? Fëmija im ka pirë mbrëmë dhe sot nga ky qumësht."

