Mijëra studentë përballen me një tjetër sfidë në nisjen e vitit të ri akademik: gjetjen e një banese në Tiranë. Qiratë e larta dhe kapacitetet e kufizuara të konvikteve e bëjnë strehimin një barrë të rëndë, ndërsa shumë studentë i konsiderojnë apartamentet me qira të papërballueshme për buxhetin e tyre.
Rreth 75 mijë studentë pritet të ndjekin mësimet këtë vit, ndërsa konviktet publike dhe private në Tiranë kanë kapacitet për të akomoduar vetëm rreth 7% të tyre. Për pjesën tjetër, gjetja e një banese mbetet një problem i madh, ndërsa studentët përballen edhe me raste paragjykimi nga qiradhënësit.
Sipas të dhënave të përmendura nga një studim i Bankës së Shqipërisë, kostoja mesatare mujore e një apartamenti në Tiranë arrin në rreth 52,240 lekë. Në kontrast, shpenzimet mujore për një student në konvikt janë rreth 4,300 lekë, duke e bërë strehimin në apartament rreth 12 herë më të kushtueshëm se një vend në konvikt.

