Sot Shqipëria nuk po qeveriset; në Shqipëri po menaxhohet pushteti. Prioriteti i qeverisë nuk është më vendi, por mbajtja e karriges me çdo kusht. Institucionet kanë humbur funksionin e tyre dhe energjia e shtetit ka kohë që është devijuar, nuk shkon më për të zgjidhur problemet e qytetarëve, por për të mbrojtur karrigen.
Kontrasti është i qartë dhe i dhimbshëm për çdo shqiptar. Kjo qeveri investon shumë më tepër energji, financa dhe asete për të shuar e delegjitimuar protestat legjitime të qytetarëve, sesa për të zgjidhur krizat që po gjunjëzojnë vendin. Qytetarët janë ngritur për të kërkuar të drejtat e tyre, ndërkohë është vënë në lëvizje e gjithë makineria e pushtetit: propagandë agresive, presion policor, përçarje e qëllimtë dhe tentativa të dëshpëruara për të cenuar moralin dhe bërë pis revoltën.
Nga ana tjetër, kur digjen pyjet – siç po ndodh këto ditë me vatrat aktive në Dajt, Mirditë e Pukë – kur qytetet mbeten pa ujë në mes të vapës, apo kur mbetjet pushtojnë rrugët e lagjeve tona, shteti i Rilindjes shfaqet i vonuar, i pafuqishëm, i lodhur, ose thjesht mungon. E gjitha çka ndodh tregon më së miri se, për këtë qeveri, protesta shihet si rrezik direkt për atë vetë, ndërsa paefikasiteti dhe mosrealizimet e saj, si dhe vuajtja e problemet e përditshme të qytetarëve, jo.
Por dështimi më i rëndë dhe më i frikshëm i këtij pushteti të përqendruar te vetvetja është rënia totale e sigurisë publike. Ditët e fundit kanë dëshmuar një anatomi të një rendi të rënë në mbarë vendin, ku krimi dhe dhuna po sfidojnë hapur shtetin, sigurinë dhe rendin publik në sytë e qytetarëve dhe turistëve. Shqipëria u trondit nga atentati i guximshëm në mes të ditës në një lokal në Elbasan, ku vetëm bllokimi i armës shmangu një tragjedi më të madhe. Ndërkohë, në mes të sezonit turistik, siguria ka prekur fundin në jug të vendit: një turist i ri portugez u vra mizorisht me thikë në Ksamil pas një konflikti banal, në një ngjarje ku dyshohet se u përfshi dhe u ndalua madje edhe një oficer i Policisë.
Policia vazhdon të përdoret si vegël politike për të përndjekur apo për të rrethuar protestuesit, ndërkohë rrugët tona u lihen në dorë kriminelëve. Qytetarët nuk janë më të sigurt as në lokalet e qyteteve të tyre dhe as në zonat e plazhit. Ky është çmimi i tmerrshëm i një qeverie që ka braktisur detyrën parësore, kushtetuese, për të mbrojtur jetën e njerëzve dhe ka zgjedhur të mbrojë vetëm pasuritë, privilegjet dhe pushtetin e vet oligarkik. Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

