Kryetarja e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, deputetja e PD-së Ina Zhupa, ka kundërshtuar projektligjin e qeverisë për ndryshimet në ligjin për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis, duke argumentuar se ai nuk mund të zëvendësojë shfuqizimin e ligjit 21/2024 për Zonat e Mbrojtura. Zhupa thekson se VNM-ja është vetëm një instrument vlerësimi dhe nuk mund të rikthejë mbrojtjen e humbur nga ndryshimi i regjimit ligjor. Ajo rikujton se Parlamenti Europian ka kërkuar shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 dhe se më 14 maj 2026 ka depozituar në Kuvend projektligjin për shfuqizimin e ligjit 21/2024, duke e cilësuar këtë si zgjidhjen e vetme reale për mbrojtjen e zonave të mbrojtura. Reagimi i plotë i Ina Zhupës: Ligji 21/2024 nuk rregullohet me një projektligj për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis. Duhet shfuqizuar! Qeveria ka hedhur për konsultim publik një projektligj për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10 440, datë 07.07.2011, “Për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis”, të ndryshuar.
Propozohet të ndryshojë vetë ligjin e VNM-së, duke futur ndër të tjera edhe konceptin e “Vlerësimit të Duhur” për projektet që mund të kenë ndikim në Zonat e Veçanta të Ruajtjes. Por pikërisht këtu qëndron problemi, me një projektligj për VNM-në nuk mund të korrigjohet problemi që krijon ligji 21/2024 për Zonat e Mbrojtura.
VNM-ja, edhe kur forcohet procedura, është një instrument vlerësimi dhe vendimmarrjeje. Ajo zbatohet mbi kuadrin ligjor material që përcakton se çfarë lejohet dhe çfarë ndalohet në një zonë të mbrojtur.
Ligji 21/2024 ka ndryshuar regjimin e mbrojtjes dhe ka lejuar ndërhyrje që më parë ishin të kufizuara ose të ndaluara, nuk mund ta rikthejë mbrojtjen e humbur një procedurë VNM-je.
Madje, vetë projektligji tregon se “Vlerësimi i Duhur” do të përdoret për të vlerësuar ndikimin e projekteve në Zonat e Veçanta të Ruajtjes dhe parashikon se miratimi i zhvillimit jepet kur vlerësimi konstaton se nuk ka efekte të konsiderueshme mbi integritetin e zonës.
Por pyetja themelore është:Kush e përcakton se çfarë mund të zhvillohet në atë territor?
Përgjigjja është: ligji material që rregullon Zonat e Mbrojtura pra Ligji 21/2024
Prandaj, një projektligj për VNM-në nuk mund të përdoret si zëvendësim për shfuqizimin e ligjit 21/2024.
Parlamenti Europian ka kërkuar shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në ligjin për Zonat e Mbrojtura dhe ka lidhur këtë çështje drejtpërdrejt me respektimin e standardeve të BE-së për mbrojtjen e natyrës. Në 14 Maj 2026 kam depozituar në kuvend projektligjin për shfuqizimin e ligjit 21/2024 dhe kjo është zgjidhja e vetme dhe reale. Çdo gjë tjetër është përpjekje për të vazhduar rrugën e shkatërrimit të zonave të mbrojtura me paketim më të bukur.
© BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

