Shqipëria ka hedhur hapin zyrtar për pjesëmarrjen në misionin ndërkombëtar në Gaza. Këshilli i Ministrave miratoi këtë të mërkurë projektligjin për angazhimin e Forcave të Armatosura në operacionin ushtarak të Forcës Ndërkombëtare të Stabilitetit, i cili parashikon që numri maksimal i personelit të Forcave të Armatosura që mund të marrë pjesë në mision të jetë 40 ushtarakë. Sipas dokumentit, misioni i kontingjentit shqiptar do të përfshijë mbështetjen e operacioneve të sigurisë dhe stabilitetit, mbrojtjen e personelit, objekteve dhe infrastrukturës së misionit, mbështetjen e operacioneve humanitare, monitorimin dhe raportimin e situatës së sigurisë, si edhe detyra të tjera në përputhje me mandatin e misionit, në kuadër të Bordit të Paqes. LEXO edhe...VKM/ Vlerësim për luftën kundër zjarreve të vitit 2026, një pagë mujore shpërblim për Forcat e Armatosura Projektligji parashikon gjithashtu që ushtarakët pjesëmarrës, përveç pagës mujore, të përfitojnë dieta për ditët e qëndrimit në operacion, në masën që do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Më herët gjatë ditës, ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, bëri të ditur se përfaqësia shqiptare do të nisë fillimisht me katër oficerë shtabi. Pas mbledhjes së qeverisë, Nufi tha se projektakti do t'i dërgohet Kuvendit për miratim dhe se vendimi është në përputhje me mandatin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese. “Republika e Shqipërisë do të ketë një përfaqësi në Gaza duke filluar fillimisht me katër oficerë shtabi. Me vajtjen e këtyre katër oficerëve të shtabit në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese do të vlerësohet më pas edhe kush do të jetë niveli konkret i trupave që do të dërgohen në Gaza, duke përfshirë këtu edhe vendndodhjen konkrete ku këto trupa do të dislokohen”, u shpreh ministri. V E N D I M PËR PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR PJESËMARRJEN E FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË OPERACIONIN USHTARAK TË FORCËS NDËRKOMBËTARE TË STABILITETIT, NË GAZA” Në mbështetje të neneve 81, pika 1, 83, pika 2, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave V E N D O S I: Propozimin e projektligjit “Për pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në operacionin ushtarak të Forcës Ndërkombëtare të Stabilitetit, në Gaza”, për shqyrtim e miratim, me procedurë të përshpejtuar, në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë. K R Y E M I N I S T R I EDI RAMA ### P R O J E K T L I GJ PËR PJESËMARRJEN E FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË OPERACIONIN USHTARAK TË FORCËS NDËRKOMBËTARE TË STABILITETIT, NË GAZA Në mbështetje të neneve 12, pika 3, 78 dhe 83, pikat 1 dhe 2, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë V E N D O S I: Neni 1 Pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në operacionin ushtarak të Forcës Ndërkombëtare të Stabilitetit, në Gaza. Neni 2 Numri maksimal i personelit, që do të marrë pjesë në këtë operacion, do të jetë 40 (dyzet) vetë. Neni 3 Misioni i personelit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në operacionin ushtarak të Forcës Ndërkombëtare të Stabilitetit, në Gaza, do të jetë mbështetja e operacioneve të sigurisë dhe stabilitetit, mbrojtja e personelit, objekteve dhe infrastrukturës së misionit, mbështetja e operacioneve humanitare, monitorimi dhe raportimi i situatës së sigurisë si dhe detyra të tjera, në përputhje me mandatin e misionit, në kuadër të Bordit të Paqes. Neni 4 Ushtarakët pjesëmarrës në operacionin ushtarak të Forcës Ndërkombëtare të Stabilitetit, në Gaza, përveç pagës mujore, përfitojnë dieta për ditët e qëndrimit në operacion, në masën që do të caktohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Neni 5 Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”. U.D/ReportTv.al mision ushtarak Gaza vkm Komento Komente Sondazhi i ditës: Si iu duket propozimi i PS-së që nga 61 të kalohet në 46 bashki? I drejtë 66.9% I gabuar 25.7% Nuk kam mendim 7.4% Vota total: 833 Sondazhi i ditës: Si iu duket propozimi i PS-së që nga 61 të kalohet në 46 bashki?

