Vendimi i kryeministrit Edi Rama për të shpronësuar tokën për të cilën shpërtheu konflikti me armë mes biznesmenëve Luan Muça dhe Vasil Bedinaj, pranë resortit "Regina Palm" në Vlorë, është pritur me akuza nga Partia Demokratike. Kryetari i Grupit Parlamentar, Gazment Bardhi, e cilëson shpronësimin një "gjobë shumëmilionëshe" për shqiptarët dhe i kërkon SPAK-ut të hetojë firmën e kryeministrit. Në një reagim në rrjetet e tij sociale, Bardhi argumenton se vendimi për ndërtimin e 'një lulishte me ullinj' nuk ndëshkon dy biznesmenët e përfshirë në konfliktin e armatosur, përkundrazi u garanton atyre kompensim me fondet publike. Teksa komenton konfliktin mes Muçës dhe Bedinajt, Bardhi thotë se kjo histori shkon përtej banales dhe lidhet me pronat dhe projekte të miratuara nga vetë qeveria. LEXO edhe...Zjarr masiv në Himarë, flakët përhapen me shpejtësi dhe rrezikojnë banesat! (VIDEO) Veç të tjerash, Bardhi ngre edhe pikëpyetje për mënyrën se si janë dhënë të drejtat e zhvillimit mbi prona që rezultojnë të mbivendosura. Deputeti demokrat kritikon faktin që qeveria ka zgjedhur rrugën e shpronësimit dhe thotë se biznesmenit duhej t'i ishte hequr statusi i investitorit strategjik, një hap që sipas tij duhet ndjekur me anullimin e lejes mbi pronën në konflikt dhe hetimin e personave përgjegjës. " Vendimi i Kryeministrit për të shpronësuar dy investitorët që u përplasën me armë në Orikum nuk i ndëshkon dy individët e dhunshëm se i prishën imazhin turistik Shqipërisë. Përkundrazi, siguron që skandali, i cili e ka burimin tek vendimmarrja dhe firma e vetë Edi Ramës, të mbyllet me shpejtësi dhe, njëkohësisht, u garanton dy biznesmenëve kompensim prej miliona eurosh.Edi Rama përpiqet ta paraqesë si një histori banale, por në themel të saj qëndron konflikti i pronësisë dhe mbivendosja e pronave për dy projekte ku firmën e ka vendosur vetë Edi Rama. Njërin prej biznesmenëve Edi Rama e ka shpallur investitor strategjik, i ka vënë në dispozicion mbi 200 mijë m² tokë publike për të ndërtuar dhe i ka dhënë bregdetin në përdorim për 99 vjet. Tjetrit i ka dhënë leje për një projekt të ngjashëm. Pyetja është: si jepen me firmën e Edi Ramës të drejta zhvillimi mbi prona që rezultojnë të mbivendosura? Pse atë që Edi Rama na thotë se e zbuloi tani, pasi u nxorën armët, nuk e zbuloi kur ai firmoste statusin e investitorit strategjik dhe vinte në dispozicion pasuri të çmuara publike? Këtë model që vjen erë korrupsion, Partia Demokratike e ka kundërshtuar prej disa vitesh. Bashkë me qytetarët në protestë dhe dhe në përputhje me kërkesat e Bashkimit Europian, kemi kërkuar zyrtarisht që ligji për investimet strategjike të shfuqizohet. Në vend që t’i heqë statusin e investitorit strategjik, të shfuqizojë ligjin e tij korruptiv, të anullojë lejet mbi pronën në konflikt dhe t’i çojë për ndjekje penale ata që mund të kenë fallsifikuar dokumentet e pronësisë, Edi Rama zgjedh t’u vendosë një gjobë shumëmilionëshe shqiptarëve për të dëmshpërblyer biznesmenët problematikë që u fuqizuan gjatë pushtetit të tij. Sepse shpronësim do të thotë kompensim me para publike. Biznesmenët në konflikt do të paguhen me paratë e mbledhura nga taksat e shqiptarëve. Sipas vendimit të Edi Ramës, ne të gjithë do të paguajmë miliona euro për të mbyllur një konflikt që ai dhe institucionet e drejtuara prej tij kishin detyrimin ta parandalonin përpara se të firmoseshin statusi i investitorit strategjik dhe lejet e ndërtimit. Interesi i vërtetë publik, jo ai i “lulishtes me ullinj”, kërkon që institucionet e drejtësisë të veprojnë për të nxjerrë përgjegjësinë penale për këtë skandal. Është shumë e qartë se, minimalisht, Edi Rama përmbush elementët e shpërdorimit të detyrës dhe hetimi duhet të nisë prej firmës së tij për investitorin strategjik deri tek qendrimi i sotëm i pajistifikuar për shpronësim. Mirë është që SPAK të mos heshtë. Ky nuk është as një sherr banal, as një çështje etike qytetare apo imazhi të turizmit. Duhet hetuar nëse Kryeministri po përpiqet të mbyllë me sa më pak zhurmë dhe me shumë milionë euro të shqiptarëve një problem të krijuar me firmën dhe vullnetin e tij" shprehet Bardhi U.D/ReportTv.al gazment bardhi edi rama Regina Palm Resort Vlore spak Komento Komente Sondazhi i ditës: Qeveria bllokon pagat e magjistratëve pasi KLGJ e KLP i rritën vetë, si e vlerësoni? Të drejtë 74.8% Të gabuar 21% Nuk e di 4.3% Vota total: 3033 Sondazhi i ditës: Qeveria bllokon pagat e magjistratëve pasi KLGJ e KLP i rritën vetë, si e vlerësoni?

