Një 35-vjeçar italian, transportues mallrash ndërtimi me banim në Baldissero d’Alba, në provincën e Cuneos, është nën hetim për vrasje të qëllimshme, pasi qëlloi me armë zjarri ndaj një personi që dyshohet se po tentonte të hynte në banesën e tij.
Ngjarja ndodhi gjatë natës mes të shtunës dhe të dielës. Sipas dëshmisë së 35-vjeçarit, ai dëgjoi zhurma në oborr dhe pa disa persona pranë banesës. I frikësuar, ai doli në ballkon dhe qëlloi disa herë në errësirë. Dy plumba goditën për vdekje 36-vjeçarin Gjovalin Lazri, me origjinë shqiptare dhe banues prej kohësh në Torino.
“Kam gabuar, nuk duhej të qëlloja. Tani kam frikë se do të përfj në burg”, mësohet të ketë thënë 35-vjeçari, i cili sipas avokatit të tij është i tronditur dhe i penduar për atë që ka ndodhur.
Arma, një pistoletë Beretta 9 mm e regjistruar ligjërisht, është sekuestruar. Hetuesit po përpiqen të përcaktojnë numrin e saktë të të shtënave, drejtimin dhe distancën nga e cila janë qëlluar plumbat. Për këtë arsye pritet edhe ekspertiza balistike dhe autopsia e viktimës.
Avokatja e familjes së Lazrit ka deklaruar se familjarët kërkojnë respekt për dhimbjen e tyre dhe presin përfundimin e hetimeve para se të bëjnë komente të tjera.

