Pasi kultivoi mollë, qershi dhe arra, fermeri Qatip Doda zbuloi se fitimi ishte tjetërkund. Tek mjedra! Një frut i ri në vendin tonë, mjaft i kërkuar nga tregu. Eksperiencën e mori në Kosovë dhe sot ka një prodhim të bollshëm. Historinë e tij, fermeri dibran, me profesion agronom, e ka rrëfyer për mikrofonin e Report TV. Në Maqellarë të Dibrës, një frut i vogël i ka ndryshuar jetën, 70-vjeçarit, Qatip Doda. Agronom në profesion, prej disa vitesh, ka ngritur fermën e tij dhe kultivon disa fruta, por më e spikatura është mjedra. LEXO EDHE:Dhunoi kunatën, nipi e kërcënon me armë! Arrestohet xhaxhai, në kërkim 19-vjeçari, 3 nën hetim “Profesioni im është agronom. Kam punuar për 40 vjet në ekonominë bujqësore. Pas vitit ’91, përveç profesionit si agronom, iu përkushtova edhe fermës, duke gërshetuar punën e specialistit me atë të fermerit”, thotë Doda. Nga një hektar tokë në fillim, sot administron 4 hektarë, ku kultivon mollë, qershi, rrush, arra dhe prej 2 vitesh edhe mjedër. Por si e zbuloi mjedrën, si frutin më fitimprurës?! “Në Kosovë kultivohet afërsisht mbi 1 mijë hektarë, kurse në Shqipëri kemi pak sipërfaqe, rreth 15-20 hektarë. Kemi përfituar edhe këshilla teknike nga specialistë mjaft të shkëlqyer të Kosovës, sepse në Kosovë është sipërfaqja më e madhe e kultivuar me mjedër”, shpjegon ai. Një mundësi financimi nga shteti i dha shtysë për të kultivuar mjedren dhe sot nuk arrin të përballojë tregun pasi kërkesa është e lartë. “Bëmë një punë përgatitore me punimin e tokës, plehërimin me pleh organik. Janë përdorur rreth 1 mijë kuintal pleh organik për hektar dhe realizuam mbjelljen në muajin qershor”, thotë Doda. Parcela e parë u ngrit në 3 dynymë dhe mori 3 kuintalë prodhim. Por këtë vit, prodhimi ka dalë përtej parashikimeve. “Ky vit ka qenë prodhimi shumë i mbarë, jashtë parashikimeve të mia si specialist. Kemi filluar vjeljen që në fillim të qershorit dhe mendojmë të vjelim edhe gushtin, gjithë gushtin, edhe shtatorin, ndoshta edhe tetorin”, shprehet fermeri. Vjeljen e bën çdo ditë dhe prodhimi shkon direkt në tregjet e Tiranës e Durrësit, pasi nuk ka magazina frigoriferike. “Normalisht duhet të vilet çdo ditë, sepse temperaturat e larta e shpejtojnë pjekjen dhe zbutet fruti. Ne çdo ditë e bëjmë lëvizjen e prodhimit nga parcela për në tregun e Tiranës”, shpjegon i moshuari. 70-vjecari ka kultivuar disa varietete mjedre, me origjine amerikane, italiane dhe polake dhe vitin tjetër mendon t’i shtojë parcelat. “Duke parë ecurinë e kësaj kulture këtë vit, kam kultivuar edhe një parcelë tjetër me 1,500 fidanë. I kam mbjellë në vazo, me sistem vaditjeje me pika dhe me torfë specifike për kulturën e mjedrës”, thotë ai. Ajo që e bën këtë kulturë tërheqëse nuk është vetëm prodhimi, por çmimi. Mjedra shitet me shumicë nga 600 deri në 800 lekë për kilogram, në varësi të periudhës dhe kërkesa rritet çdo ditë. “Çmimi i mjedrës, sipas periudhave, shkon nga 600-800 lekë kilogrami. Është çmim shumë i mirë për ne fermerët. Kemi pasur kërkesa direkt nga ferma, në Peshkopi dhe fshatrat përreth, ndërsa tani kemi shumë kërkesa në Tiranë dhe Durrës. Duhet të kesh dhoma frigoriferike që ta mbash në freski derisa të kalojë në treg, ose duhet patjetër të kalojë çdo ditë në tregun e freskët”, thotë fermeri. Në ditët e pikut, Qatipi nuk e përballon dot vjeljen me familjen ndaj ka punësuar disa të rinj të zonës. Si specialist tashmë përçon mesazhin se fermerët e Dibrës e kanë të ardhmen në tokën e tyre, jo përtej kufirit. “Ka kultura bujqësore shumë rentabël, shumë fitimprurëse, sidomos mjedra. Po të punosh dhe t’i përkushtohesh, ka fitim. Nuk ka nevojë të shkosh në Greqi, Gjermani apo Itali”, përmbyll ai. Share Xh.K/E.H/Shqiptarja.com TAG: mjeder Diber Qatip Doda Sa e vlerësoni këtë artikull? ★ ★ ★ ★ ★ 4.6 / 5 (11 vlerësime) Faleminderit! LAJMET MË TË VLERËSUARA Komente Komento Sondazhi i ditës:
15 Gusht, 13:45
Cili është shkaku i konflikteve në Shqipëri? Politika 59.4% Shoqëria 24.1% Social media 16.5% Vota total: 601 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 15 Gusht, 13:45 Cili është shkaku i konflikteve në Shqipëri?
