Goditet një tjetër rast i armëmbajtjes pa leje në kryeqytet. Në kuadër të operacionit policor të koduar “Gjurma”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale Tiranë, kanë vënë në pranga një 38-vjeçar nga Durrësi. Bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, forcat e policisë ndaluan në rrugën “Perlat Rexhepi” automjetin që drejtohej nga shtetasi D. K., 38 vjeç, banues në Durrës. Gjatë kontrollit fizik dhe të mjetit, në çantën marsup të 38-vjeçarit u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë, si dhe 23 fishekë luftarakë të fshehur poshtë sediljes së drejtuesit. Në përfundim të veprimeve procedurale, shtetasi D. K. u arrestua në flagrancë për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit”. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprime të mëtejshme. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
